VAPA, MË E RREZIKSHME PËR GRATË/ Temperaturat ekstreme rrisin rrezikun për shëndetin e tyre
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se gratë janë më të rrezikuara nga valët e të nxehtit sesa burrat, për shkak të faktorëve biologjikë dhe hormonalë. Ata rekomandojnë hidratim të vazhdueshëm dhe shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve me temperatura më të larta.

Valët e të nxehtit nuk ndikojnë njësoj te të gjithë. Sipas ekspertëve të shëndetit, gratë janë më të rrezikuara se burrat për shkak të mënyrës se si organizmi i tyre reagon ndaj temperaturave të larta.
Ndryshimet hormonale, veçoritë biologjike dhe faktorët social bëjnë që temperaturat ekstreme të ushtrojnë një ngarkesë më të madhe mbi sistemin kardiovaskular të grave.
Specialistët shpjegojnë se ndikim të rëndësishëm kanë luhatjet e estrogjenit dhe progesteronit gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë, gjidhënies, perimenopauzës dhe menopauzës, të cilat e bëjnë më të vështirë rregullimin e temperaturës së trupit.
Ne perimenopauzë dhe menopauzë , gratë janë më të ekspozuara ndaj efekteve të vapës, pasi afshet e nxehta dhe djersitjet gjatë natës bëhen më të shpeshta dhe më intensive.
Ndërkohë, shtatzënia e bën organizmin edhe më të ndjeshëm, pasi zemra punon më fort, rritet temperatura e trupit dhe shtohen nevojat për lëngje.
Sipas studimeve, ekspozimi ndaj temperaturave shumë të larta mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve si për nënën, ashtu edhe për foshnjën.
Temperaturat e larta mund të përkeqësojnë edhe simptomat gjatë ciklit menstrual. Shumë gra raportojnë lodhje të theksuar, marramendje, pagjumësi, ankth dhe dhimbje më të forta gjatë ditëve me vapë.
Sipas mjekëve, humbja e hekurit gjatë menstruacioneve ul furnizimin e organizmit me oksigjen, duke rritur më tej lodhjen dhe ngarkesën mbi zemrën.
Ekspertët theksojnë se rreziku nuk lidhet vetëm me biologjinë. Faktorët socialë kanë gjithashtu ndikim, pasi gratë shpesh mbajnë barrën kryesore të kujdesit për familjen dhe, duke jetuar mesatarisht më gjatë se burrat, përballen më shpesh me probleme shëndetësore që rëndohen nga temperaturat ekstreme.
Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta, kufizimin e aktivitetit fizik dhe njohjen e shenjave të rraskapitjes apo goditjes nga nxehtësia.

