"Trump erdhi si tregtar armësh"/ Milanoviç në samitin e NATO-s: Kroacia nuk hyn në aventura ushtarake

"Trump erdhi si tregtar armësh"/ Milanoviç në samitin

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka shprehur qëndrimin e tij për zhvillimet ndërkombëtare gjatë samitit të NATO-s në Ankara, duke folur për rolin e Donald Trump, për luftën në Ukrainë dhe për pozicionin që duhet të mbajë Zagrebi brenda Aleancës.

Milanoviç u shpreh se Trump, ndryshe nga shumë liderë të tjerë, paraqitet hapur me interesat që përfaqëson dhe me një qasje të drejtpërdrejtë ndaj çështjeve të sigurisë dhe tregtisë së armëve.

“Në këtë format, Donald Trump ishte më i ndershmi. Ai vjen këtu si një tregtar armësh plotësisht i vendosur dhe në këtë kuptim përfaqëson interesa. Ai flet me respekt për Putinin dhe Xi-në, dhe ata për të. Udhëheqës të tjerë flasin me një retorikë tjetër”, u shpreh presidenti kroat.

Duke folur për politikën e Kroacisë, Milanoviç tha se vendi i tij do të vazhdojë të jetë një aleat i besueshëm i NATO-s, por do të ruajë interesat e veta dhe nuk do të përfshihet në nisma ku nuk sheh nevojë për angazhim.

“Kroacia ka paguar shumë fatura të të tjerëve gjatë historisë dhe ndonjëherë ka bërë llogaritje të gabuara për veten. Tani duhet të përfitojmë nga pozicioni që kemi, sepse pozicioni i Kroacisë është i mirë”, u shpreh ai.

Milanoviç bëri të ditur se Zagrebi nuk është pjesë e “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, një grupim i përmendur nga disa liderë europianë për mbështetjen e Ukrainës.

Sipas tij, ideja për një prani ushtarake perëndimore në Ukrainë mbetet një çështje me shumë rreziqe dhe paqartësi.

“Prania perëndimore në Ukrainë është shumë e rrezikshme dhe e pasigurt. Kjo është arsyeja pse nuk mund të jemi aty”, u shpreh presidenti kroat.

Ai foli gjithashtu për zhvillimet e reja në fushën e mbrojtjes dhe për nevojën që NATO të përgatitet ndaj kërcënimeve teknologjike, përfshirë raketat hipersonike dhe sistemet moderne të armatimit.

Milanoviç tha se detyra e tij është të sjellë në tryezë shqetësimet që lidhen me sigurinë dhe interesat e Kroacisë brenda Aleancës.

EMISIONET