Dendias kundër F-35 për Turqinë/ Greqia ngre shqetësime për sigurinë në Mesdheun Lindor

Greqia ka shprehur hapur shqetësimin për mundësinë që Turqia të pajiset me avionë luftarakë të gjeneratës së pestë F-35, nëse Uashingtoni vendos të miratojë një marrëveshje të tillë.
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, tha gjatë një konference të Economist në Athinë se Athina nuk është e kënaqur me një skenar të tillë, por theksoi se vendimi përfundimtar i takon qeverisë amerikane.
“Greqia nuk është e lumtur që Turqia të marrë F-35 dhe as që të marrë motorë për një avion të gjeneratës së re,” u shpreh Dendias.
Megjithatë, ai theksoi se pyetja kryesore për Shtetet e Bashkuara duhet të jetë nëse një vendim i tillë është në interesin e sigurisë së NATO-s dhe stabilitetit në rajon.
Sipas tij, dhënia e një kapaciteti të tillë ushtarak një vendi në Mesdheun Lindor duhet të shoqërohet me garanci që ai të mos përdoret kundër një aleati tjetër të NATO-s.
Çështja e F-35 për Turqinë është komplikuar prej vitesh për shkak të blerjes nga Ankaraja të sistemit raketor rus S-400. Kongresi amerikan ka vendosur kufizime ligjore për shitjen e avionëve F-35 ndaj Turqisë për sa kohë që sistemi rus mbetet në përdorim, duke e konsideruar atë një rrezik për sigurinë e teknologjisë amerikane.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se mund të shqyrtojë heqjen e disa masave ndëshkuese ndaj Turqisë për të lehtësuar një marrëveshje të mundshme.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke folur në samitin e NATO-s në Ankara, nuk komentoi drejtpërdrejt deklaratat e Trump, por nënvizoi se uniteti i aleancës duhet të bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe interesave të të gjitha vendeve anëtare.



