Berisha: Në Samitin e NATO-s, Edi Rama ishte njeriu më i vetmuar, tërhoqi vetëm përçmim
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se dje në Samitin e NATO-s, Edi Rama ishte njeriu më i vetmuar, tërhoqi vetëm përçmim me atletet e tij.
DEKLARATA E BERISHES
Në një akt antishqiptar të paprecedent që nga diktatura e Enver Hoxhës, dhe në një skandal shumë të rëndë diplomatik dhe politik, dje me urdhër të Edi Ramës, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Shqipërisë, në kundërshtim dhe shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut dhe konventat ndërkombëtare, tre deputetë të koalicionit të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN.
Kështu u bllokuan dje me datën 8 korrik nga narkopolicia shqiptare në pikën kufitare të Qafë Thanës koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, deputeti Bekim Çoku dhe deputetët Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Që të tre me pasaporta diplomatike. Ata u trajtuan dhe u ndaluan sikur të ishin terroristë, armiq të kombit shqiptar dhe jo deputetë të nderuar, përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, vendin fqinj.
Duke kërkuar ndjesë në emër të shqiptarëve të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të këtij vendi, koalicionit VLEN dhe të gjithë deputetëve të tij, PD dënon me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar të Edi Ramës dhe ministrit të tij kukull antishqiptar të Brendshëm.
Ky akt dëshmon një goditje të rëndë të fqinjësisë së mirë me vendin fqinj dhe përbën një përpjekje vulgare për të fajësuar fqinjët dhe të tjerët për protestën rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit.
Me këtë akt, narkodiktatori i Tiranës po sillet në rajon në mënyrë identike me Lukashenkon e Bjellorusisë dhe ish-diktatorin e Venezuelës, tani në pranga, Maduron.
Një akt i shëmtuar. E garantoj Edi Ramën se dënimi i tij është pa shpëtim, pa kthim. Le t’i mbyllë kufijtë nga të katër anët, por shqiptarët i kanë prerë përfundimisht biletën atij.

