Testosteroni tek burrat ka rënë me 54% në 50 vite/ Studimi ngre alarmin për krizën e shëndetit riprodhues mashkullor

Testosteroni tek burrat ka rënë me 54% në 50 vite/ Studimi ngre

Nivelet mesatare të testosteronit tek burrat janë ulur me 54% midis viteve 1972 dhe 2019, sipas një analize të re të prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Riprodhimit Njerëzor dhe Embriologjisë në Londër.

Studiuesit thonë se rënia, që është më shumë se 1% çdo vit, nuk duket të jetë një rastësi statistikore, por një trend i vazhdueshëm që kërkon vëmendje më të madhe nga komuniteti shkencor.

Profesori Hagai Levine nga Universiteti Hebraik në Izrael e cilësoi situatën si një problem serioz për shëndetin riprodhues mashkullor, duke theksuar se faktorë si obeziteti, diabeti, ekspozimi ndaj kimikateve që ndikojnë në sistemin hormonal dhe ndryshimet klimatike mund të kenë rol.

Studimi analizoi të dhëna nga 118 mijë e 593 persona në vende të ndryshme të botës, përfshirë Izraelin, SHBA-në, Brazilin, Finlandën dhe Danimarkën.

Testosteroni është një hormon thelbësor për funksione të shumta te burrat, duke ndikuar në prodhimin e spermës, dëshirën seksuale, masën muskulore, dendësinë e kockave, energjinë dhe humorin.

Ekspertët theksojnë se ulja e testosteronit mund të lidhet me faktorë të ndryshëm shëndetësorë. Mbipesha, për shembull, ndikon në ekuilibrin hormonal duke favorizuar shndërrimin e testosteronit në estrogjen.

Megjithatë, shkencëtarët janë ende duke debatuar për shkaqet kryesore të këtij fenomeni. Disa mendojnë se obeziteti dhe diabeti mund të shpjegojnë një pjesë të madhe të rënies, ndërsa të tjerë kërkojnë të hetojnë më tej ndikimin e faktorëve mjedisorë.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për përdorimin pa kriter të suplementeve të testosteronit, pasi ato mund të kenë efekt të kundërt dhe të ulin prodhimin e spermës.

Sipas studiuesve, nevojiten kërkime të tjera për të kuptuar plotësisht arsyet e kësaj rënieje, por gjetjet e fundit tregojnë se shëndeti riprodhues mashkullor duhet të jetë një prioritet më i madh në politikat shëndetësore globale.

 

EMISIONET