DH*NA NDAJ PROTESTUESIT NË PORTONOVË/ Shkurti: Tek qytetari i tërhequr zvarrë njerëzit panë veten dhe hallet e tyre
Gazetari Armir Shkurti, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, ka folur për protestën e zhvilluar së fundmi dhe ndikimin që, sipas tij, ka pasur një nga pamjet më të komentuara të saj.
Shkurti u shpreh se momenti kur një qytetar u pa i shtrirë në tokë dhe duke u tërhequr zvarrë nga efektivë me uniformë, ka prekur shumë njerëz dhe ka shërbyer si pikë identifikimi për një pjesë të madhe të protestuesve.
Sipas tij, në atë figurë shumë qytetarë kanë parë problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë, duke përfshirë çështje që lidhen me pronat, emigrimin, ekonominë dhe shërbimet publike.
"Popullin e solli ajo memja e popullit të marrë zvarrë. Tek ajo ikonë, ku njerëz me uniformë e marrin zvarrë. Unë ndjeva ata që i kanë marrë tokën, ata që i kanë marrë fëmijët dhe i kanë çuar jashtë shtetit, ata që i kanë marrë ilaçet dhe vdesin nëpër spitale."-tha gazetari.
Shkurti tha se numri i qytetarëve që identifikohen me këtë situatë është shumë më i madh se ai që shihet fizikisht në protestë, ndërsa vuri në dukje edhe reagimin e shqiptarëve jashtë vendit.
Ai foli për një angazhim në rritje të diasporës, me shqiptarë që po udhëtojnë nga vende të ndryshme të Europës për t’iu bashkuar protestës në Shqipëri.
"Tek ai person i shtrirë është identifikuar jo vetëm ai numër që është në shesh. Shtoji dhe dy zero të tjera. Shtoji dhe zerot e shqiptarëve që po vijnë nga Europa. Janë nisur nga Anglia dhe po përshkojnë kontinentin."-shtoi ai.


