REPORTAZHI/ Norcia, model italian i rikonstruktimit pas fatkeqësive natyrore (FOTO+VIDEO)
Dhjetë vjet pas tërmetit shkatërrues të vitit 2016, qyteti i Shën Benediktit po ringrihet falë investimeve, teknologjisë antisizmike dhe qendrueshmërisë së banorëve të tij.
Si arrin një qytet i goditur nga një prej tërmeteve më të forta në historinë e fundit të Italisë të kthehet në simbol të shpresës dhe rilindjes?
Dhjetë vjet më parë, Norcia ishte sinonim i tërmetit. Sot, rrugicat e saj mesjetare, kantieret e rindërtimit dhe aroma karakteristike e Prosciutto di Norcia IGP tregojnë një histori krejt tjetër: atë të një komuniteti që refuzoi të dorëzohej.
Vetëm dy orë larg Romës, në zemër të Apenineve italiane, mes maleve Sibillini dhe luginave të Valnerinës, shtrihet Norcia. Një qytet i vogël i Umbrias, me më shumë se dy mijë vjet histori, i njohur në mbarë botën si vendlindja e Shën Benediktit, patronit të Evropës, dhe si djepi i norcinerisë, traditës së famshme italiane të përpunimit artizanal të mishit të derrit.
Por historia e këtij qyteti nuk është ndërtuar vetëm mbi trashëgiminë shpirtërore dhe gastronomike. Ajo është formësuar edhe nga një bashkëjetesë e vazhdueshme me forcën e natyrës.
Një qytet që ka mësuar të jetojë me tërmetet
Për shkak të pozicionit të saj në një nga zonat me aktivitetin më të lartë sizmik në Itali, Norcia është goditur disa herë nga tërmete shkatërruese.
Burimet historike dokumentojnë lëkundje të forta që në vitet 1328, 1703, 1730, 1859 dhe 1979.
Megjithatë, ngjarja që mbeti më thellë në kujtesën kolektive të brezit të sotëm ishte tërmeti i vitit 2016.
Fillimisht në gusht dhe më pas më 30 tetor, një tërmet me magnitudë 6.5 goditi Italinë qendrore.
Ishte lëkundja më e fortë e regjistruar në vend në më shumë se tri dekada.
Qendra historike e Norcias pësoi dëme të rënda. Bazilika e Shën Benediktit u shemb pothuajse tërësisht, shumë banesa u bënë të pabanueshme dhe dhjetëra aktivitete ekonomike u ndalën.
Pamjet e fasadës së vetmuar të bazilikës, që qëndronte mes rrënojave, u bënë simbol i tragjedisë dhe bënë xhiron e botës.
Sot, gati dhjetë vjet më vonë, Norcia është simbol i një historie tjetër: asaj të rindërtimit.
Rruga që të çon drejt qytetit përshkon peizazhe mahnitëse.
Kodra pyjore, kullota alpine dhe fshatra të vegjël prej guri krijojnë tablonë e një territori ku natyra dhe historia bashkëjetojnë prej shekujsh.
Por sapo hyn në qendrën historike, kupton se kjo tokë po jeton një kapitull të ri.
Skelat dhe vinçat janë ende të pranishëm. Por sot ato nuk flasin më për shkatërrim.
Punëtorë, inxhinierë, restauratorë dhe artizanë punojnë çdo ditë për t'i kthyer qytetit atë që tërmeti ia mori.
Në Bashkinë e Norcias na pret kryetari i saj, Giuliano Boccanera, avokat me profesion, i cili e konsideron rindërtimin sfidën më të madhe të brezit të tij.
Ai ndalet edhe te kontributi i komunitetit shqiptar.
"Shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e Norcias. Ata nuk janë vetëm punëtorë të zotë, por edhe sipërmarrës që kanë investuar dhe kanë krijuar vende pune. Sot janë pjesë integrale e komunitetit tonë."
Historia e Ermirës: rrënjë të reja në Norcia
Një nga historitë më domethënëse të integrimit është ajo e Ermirës, shqiptarja nga Maqedonia e Veriut.
Ajo mbërriti në Norcia 34 vjet më parë.
Sot, Ermira dhe familja e saj drejtojnë tre aktivitete në sektorin e norcinerisë, një prej traditave më të rëndësishme ekonomike të qytetit.
Historia e saj është dëshmi se rilindja e Norcias nuk po ndërtohet vetëm me gurë dhe beton, por edhe me njerëz që kanë zgjedhur ta quajnë këtë qytet shtëpinë e tyre.
Si u bë Norcia sinonim i një tradite gastronomike?
Si arriti emri i një qyteti të vogël malor në zemër të Umbrias të bëhej sinonim i një tradite gastronomike të njohur në të gjithë Italinë?
Përgjigjja gjendet në një fjalë: norcineria.
Në gjuhën italiane, ky term përdoret për të përshkruar artin e përpunimit të mishit të derrit dhe prodhimin artizanal të sallameve dhe proshutave.
Por origjina e tij lidhet drejtpërdrejt me Norcian.
Që në kohën romake, mbarështimi i derrit ishte i përhapur në zonat malore të Valnerinës. Pyjet e dendura me lisa ofronin kushte ideale për rritjen natyrore të kafshëve.
Specializimi në përpunimin e mishit filloi të merrte formë që në shekullin XIII.
Sipas historianëve, zhvillimi i këtij zanati lidhet edhe me shkollën kirurgjikale të Precit, një qendër e njohur mjekësore mesjetare.
Njohuritë anatomike dhe aftësitë manuale të kirurgëve vendas kontribuuan në përsosjen e teknikave të therjes dhe përpunimit të mishit.
Kështu lindi figura e "norcinos", mjeshtri i përpunimit të mishit, një profesion që u transmetua brez pas brezi.
Me kalimin e kohës, mjeshtrat e Norcias nisën të udhëtonin drejt qyteteve të tjera italiane, duke hapur laboratorët e parë të norcinerisë.
Emri i qytetit u kthye në sinonim të profesionit.
Prosciutto di Norcia IGP: identiteti i një territori

Edhe sot, trashëgimia më e njohur e kësaj tradite është Prosciutto di Norcia IGP.
Zona e prodhimit shtrihet në zemër të Apenineve, mbi 500 metra mbi nivelin e detit, dhe përfshin komunat Norcia, Preci, Cascia, Monteleone di Spoleto dhe Poggiodomo.
Janë pikërisht klima malore, ajri i pastër dhe amplituda termike mes ditës dhe natës që i japin këtij produkti karakteristikat e tij unike.
Procesi i prodhimit nis me përzgjedhjen e kujdesshme të kofshëve të derrit.
Pas therjes, ato ruhen në ambiente frigoriferike për rreth 24 orë dhe më pas marrin formën karakteristike me prerjen tradicionale a squadro.
Kriposja kryhet në dy faza, duke përdorur ekskluzivisht kripë deti.
Më pas vijojnë larja, tharja dhe procesi i njohur si sugnatura, gjatë të cilit sipërfaqja e mishit mbulohet me një përzierje tradicionale yndyre derri, piperi dhe mielli orizi.
Ky proces mbron mishin gjatë maturimit dhe ndihmon në ruajtjen e aromave karakteristike.
Stazhionimi zhvillohet në ambiente të projektuara për të garantuar qarkullimin natyror të ajrit.
I gjithë procesi zgjat të paktën dymbëdhjetë muaj.
Vetëm proshutat që kalojnë kontrollet rigoroze të cilësisë marrin vulën IGP.
Konsorciumi i mbrojtjes – garancia e cilësisë dhe identitetit
Në zemër të sistemit që mbron këtë trashëgimi qëndron Consorzio di Tutela del Prosciutto di Norcia IGP.

Ky institucion nuk është thjesht një strukturë administrative, por një mekanizëm që ruan identitetin e një produkti dhe, në mënyrë të tërthortë, të një territori të tërë.
Në krye të tij qëndron presidenti Pietro Bellini, i cili e konsideron cilësinë dhe mbrojtjen si dy shtylla të pandashme të këtij sistemi.
“Njohja dhe mbrojtja janë dy elemente të pandashme. Sistemi ynë i kontrollit garanton cilësinë e produktit dhe mbron si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët.”
Sipas tij, konsorciumi luan një rol kyç jo vetëm në standardizimin e prodhimit, por edhe ne mbrojtjen e emrit “Norcia” nga imitimet dhe humbja e autenticitetit në tregjet ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, çdo produkt që mban vulën IGP nuk është vetëm ushqim, por edhe identitet territorial i certifikuar
Pas tërmetit të vitit 2016, shumë biznese u ndalën për vite. Disa u shkatërruan plotësisht, të tjera u rikthyen falë përpjekjeve familjare dhe investimeve të reja.
Sot, ekonomia e zonës mbështetet kryesisht në agro-ushqim, artizanat dhe turizëm të qëndrueshëm.
Ekonomia që po ringrihet
Nga konsorciumi kalojmë në një nga kompanitë simbol të rilindjes ekonomike të territorit. Këtu kupton se për banorët e Norcias koha nuk është thjesht një masë. Është përbërësi kryesor.

Tërmeti i vitit 2016 e detyroi ndërmarrjen të mbyllte aktivitetin për pesë vite.
Godinat pësuan dëme të konsiderueshme dhe prodhimi u ndal plotësisht. Sot babë e bir punojnë për të ruajtur traditën e familjes. Pas investimeve dhe një pune të gjatë rikuperimi, kompania është rikthyer në aktivitet të plotë.
Aktualisht përpunohen mbi 1.500 kofshë proshute në javë në ambiente moderne e me traditë shekullure
Bazilika e Shën Benediktit: simboli i rilindjes
Por zemra e rindërtimit mbetet qendra historike.
Në sheshin kryesor vazhdon puna në monumentin më simbolik të qytetit: Bazilikën e Shën Benediktit.
Sipas traditës, pikërisht në këtë vend lindi, në vitin 480, Shën Benedikti, themeluesi i urdhrit benediktin dhe një nga figurat më të rëndësishme të historisë së krishterimit evropian.
Mes figurave të shquara që lidhen me këtë territor janë edhe motra e tij binjake, Shën Skolastika, si dhe humanisti i madh i Rilindjes, Vespasia da Norcia, nëna e Papa Julit III.
Pas rikuperimit të kriptës, absidës dhe kolonave kryesore, puna po vazhdon me restaurimin e fasadës, altareve dhe elementeve dekorative të shpëtuara nga rrënojat.
Në fund të vitit 2024 u rihap për publikun edhe Portiku i Masave, një prej vendeve historike ku për shekuj me radhë janë zhvilluar aktivitetet tregtare dhe jeta qytetare.
Jo larg bazilikës ndodhet Katedralja e Santa Maria Argentea, një tjetër monument i rëndësishëm që po i nënshtrohet restaurimit të plotë.
Punimet pritet të përfundojnë në verën e vitit 2026.
Në total janë 56 vepra publike në proces rindërtimi.
Një model i ri për zonat sizmike
Ajo që po ndodh sot në Norcia nuk është thjesht rikthim i së kaluarës.
Është ndërtimi i një modeli të ri zhvillimi.
Bazilika, bashkia dhe teatri po rindërtohen duke integruar teknologji të avancuara antisizmike.

Në Castelluccio po realizohet një nga projektet më inovative në Itali.
Mbi një platformë të madhe të pajisur me rreth 300 izolatorë sizmikë do të rindërtohen banesat che hapësirat publike, duke krijuar një model të ri sigurie për zonat e prekura nga tërmetet.
Një rol kyç në përshpejtimin e rindërtimit ka luajtur Komisioneri i Jashtëzakonshëm për Rindërtimin, Guido Castelli.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2023, procesi ka njohur një ritëm të ri, duke kombinuar investimet në infrastrukturë me mbështetjen për aktivitetet prodhuese dhe sipërmarrjet inovative.
Festivali i Apenineve, promovimi i turizmit natyror, mbështetja për bizneset lokale dhe kandidatura e Norcias si Kryeqytet Evropian i Kulturës janë pjesë e këtij vizioni.
Një vizion që synon të ndërthurë rrënjët me inovacionin, traditën agroalimentare me teknologjinë dhe trashëgiminë historike me zhvillimin e qëndrueshëm.
Castelluccio – toka e thjerrëzave dhe peizazhi që nuk harrohet
Mbi pllajën e lartë të Apenineve, në një nga zonat më të veçanta natyrore të Italisë, shtrihet Castelluccio di Norcia.
Ky fshat i vogël malor, i vendosur mbi 1,400 metra lartësi, është i njohur në gjithë vendin për një produkt që është bërë simbol i identitetit rural të zonës: thjerrëzat.
Lenticchia di Castelluccio di Norcia (Thjerrëzat e Castelluccio-s) IGP nuk janë thjesht një kulturë bujqësore. Ato janë një trashëgimi e mbijetuar në kushte ekstreme klimatike, ku toka e varfër, era e fortë dhe klima alpine kanë krijuar një produkt të vogël në madhësi, por të jashtëzakonshëm në cilësi.
Çdo vit, pllaja e Castelluccios shndërrohet në një mozaik natyror ngjyrash, kur lulëzimi i luleve të egra mbulon fushat me tone të kuqe, blu dhe të verdhë. Ky fenomen natyror ka bërë që zona të kthehet edhe në një nga destinacionet më të njohura të turizmit natyror në Itali. Ky fillim qershori është momenti i duhur për te shijuar një bukuri të tillë por zonja e restoratit që na mikpret thotë se “natyra po vonohet” e pllaja ende është monokromatike.
Por si gjithë territori i Norcias, edhe Castelluccio nuk është kursyer nga tërmetet.
Në vitin 2016, fshati pësoi dëmtime të rënda dhe një pjesë e banorëve u zhvendosën për periudha të gjata. Megjithatë, ashtu si në qytet, edhe këtu procesi i rindërtimit ka vijuar me një vizion të ri: jo vetëm rikthim i ndërtesave, por edhe mbrojtje e një ekosistemi të tërë bujqësor dhe kulturor.
Sot, Castelluccio përfaqëson një nga sfidat më të rëndësishme të zonës: ruajtjen e jetës në territoret e brendshme malore, ku ekonomia, natyra dhe identiteti janë të pandashme.
Më shumë se një rindërtim
Norcia ndodhet vetëm pak orë larg Romës.
Një zonë me produkte ekselence, me trashëgimi unike kulturore, me peizazhe të jashtëzakonshme dhe me identitet të fortë evropian, është detyruar të përballet me shpopullimin dhe pasojat e fatkeqësive natyrore.
Sot, Norcia po tregon se rindërtimi i vërtetë nuk matet vetëm me numrin e ndërtesave të restauruara.
Ai matet me aftësinë për të krijuar mundësi, për të mbajtur të rinjtë në territor dhe për të transformuar një plagë kolektive në një projekt të përbashkët për të ardhmen.
Dhjetë vjet pas tërmetit, ajo që të bën më shumë përshtypje nuk janë kantieret, investimet apo monumentet e restauruara.
Janë njerëzit.
Banorët që vendosën të mos largohen.
Sipërmarrësit që rifilluan nga e para.
Familjet që vazhduan të besonin te e ardhmja e këtij qyteti.
Mes kambanave që së shpejti do të bien sërish në Bazilikën e Shën Benediktit, mes aromës së Prosciutto di Norcia IGP dhe rrugicave mesjetare që po marrin jetë përsëri, Norcia po shkruan një kapitull të ri të historisë së saj.
Një histori që nuk flet më për rrënoja. Por për forcën e jashtëzakonshme të një komuniteti që zgjodhi të rindërtohet, gur pas guri.






