Dorëhiqet Arlinda Pogaj, mbyll mandatin në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara pas 42 milionë euro kursimesh

Drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka dhënë dorëheqjen. Ajo e ka bërë publik vendimin e saj përmes një postimi në rrjetet sociale duke thënë se po mbyll një kapitull të rëndësishëm në jetën profesionale.
Më tej, Pogaj shprehet se ka qenë privilegj e përgjegjësi të ishte pjesë e një institucioni që në krijimin e deri në konsolidimin e tij. Përmes shifrave, ajo rendit një sërë arritjesh në sistemin e prokurimit publik. Në fund shprehet se detyrat kalojnë, por puna është ajo që mbetet.
“Me krenari dhe me ndërgjegjen e qetë po mbyll një kapitull shumë të rëndësishëm të jetës sime profesionale, pas drejtimit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Ka qenë një privilegj dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e krijimit dhe konsolidimit të një institucioni që u ndërtua nga e para dhe që sot ka fituar besimin e institucioneve më të rëndësishme publike në vend.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Ministrit z. Blendi Gonxhja për besimin që më dha duke më emëruar në krye të këtij institucioni të rëndësishëm. Po ashtu, falënderoj Ministren znj. Delina Ibrahimaj për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen gjatë kësaj periudhe, në funksion të realizimit të objektivave dhe forcimit të rolit të OBP në sistemin e prokurimit publik.
Një falënderim të veçantë dëshiroj t’ia shpreh edhe Kryeministrit të vendit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj misionit dhe rolit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në reformimin dhe modernizimin e sistemit të prokurimit publik.
Gjatë këtij rrugëtimi, OBP arriti të kryejë 1,649 procedura prokurimi, duke gjeneruar rreth 42 milionë euro kursime për buxhetin e shtetit. U shërbyem 242 institucioneve publike, përfshirë spitalet, qendrat sociale, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, institucionet e ushtrisë, të policisë dhe shumë institucione të tjera me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe shtetin shqiptar.
Krijuam procese të standardizuara, rritëm konkurrencën dhe transparencën në prokurime, zhvilluam instrumente inovative dhe kontribuuam në modernizimin e sistemit të blerjeve publike. Emri i OBP u bë i njohur edhe përtej kufijve të Shqipërisë, falë bashkëpunimeve me institucionet homologe europiane dhe pjesëmarrjes në nisma e projekte ndërkombëtare.
Por arritja më e madhe nuk janë shifrat. Arritja më e madhe janë njerëzit.
Falënderimi më i veçantë shkon për stafin e jashtëzakonshëm të OBP, i cili me profesionalizëm, ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë e ktheu një vizion në një institucion të suksesshëm. Jam krenare për secilin prej jush dhe për gjithçka arritëm bashkë.
Detyrat kalojnë, por puna e ndershme, vlerat dhe kontributi mbeten.
Faleminderit të gjithëve për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë këtij rrugëtimi.
Arlinda Pogaj”, përfundon shkrimi.


