Arrestohen 10 drejtues mjetesh, pezullohen 38 leje drejtimi dhe vendosen rreth 2 mijë gjoba

Dhjetë drejtues mjetesh janë arrestuar ditën e sotme nga policia e shtetit. Mësohet se  6 prej tyre janë vënë në pranga për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.  

Ndërkohë policia njofton se është arrestuar edhe shtetasi A. A., 38 vjeç, banues në Shkodër,  pasi i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, shumën 1500 lekë, për të shmangur masën administrative.    

Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 38 leje drejtimi, nga të cilat 25 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Si rezultat i kontrolleve intensive janë ndëshkuar me masë administrative 1707 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor.

“Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që mos të qarkullojnë me shpejtësi që cenojnë sigurinë e jetës në rrugë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.” – apelon policia.

EMISIONET