Zelensky bën ndryshimin e madh në ushtri / Syrskyi largohet, në krye vjen Drapatiy

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë një tjetër ndryshim të madh në udhëheqjen ushtarake të vendit, duke shkarkuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, gjeneralin Oleksandr Syrskyi.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pas largimit nga detyra të ministrit të Mbrojtjes, Mykhaylo Fedorov, duke shkaktuar një valë ndryshimesh në strukturën e lartë politike dhe ushtarake të Ukrainës, në një periudhë kritike të luftës me Rusinë.
Syrskyi, i cili njihej nga disa ushtarë me nofkën “kasapi i Bahmutit” për shkak të vendimit për të mbajtur qytetin Bahmut gjatë betejave të ashpra të vitit 2023, u zëvendësua nga gjeneralmajori Mykhaylo Drapatiy, komandant i forcave tokësore ukrainase.
“Të gjithë kemi një dëshirë: fitoren ndaj armikut dhe krijimin e kushteve në front, si dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë për ta detyruar atë të pranojë paqen”, deklaroi Zelensky.
Drapatiy, 44 vjeç, konfirmoi emërimin e tij dhe falënderoi Syrskyin për punën e bërë në forcimin e ushtrisë ukrainase.
Nga ana e tij, Syrskyi reagoi pas shkarkimit duke mbrojtur punën e tij dhe duke theksuar se do të vazhdojë t’i shërbejë Ukrainës.
Ndryshimi në krye të ushtrisë vjen pas përplasjeve të raportuara mes Syrskyit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fedorov, veçanërisht për mënyrën e zhvillimit të luftës dhe rolin e teknologjisë, përfshirë përdorimin e dronëve.
Fedorov, i cili promovoi një qasje më moderne të luftës, kishte kritikuar Syrskyin për pengimin e disa reformave ushtarake. Konflikti mes tyre u bë publik dhe ndikoi në vendimet e fundit të Zelenskyt.
Komandanti i ri Drapatiy gëzon reputacion të mirë në radhët e ushtrisë ukrainase dhe konsiderohet një nga figurat e brezit të ri të oficerëve. Analistët vlerësojnë se sfida kryesore e tij do të jetë menaxhimi i mungesës së personelit, reformat e papërfunduara dhe presioni i vazhdueshëm në front.
Ky është ndryshimi i fundit në një seri lëvizjesh të Zelenskyt për të riorganizuar udhëheqjen e Ukrainës, ndërsa lufta me Rusinë ka hyrë në një fazë të re dhe kërkon vendime të vështira ushtarake e politike./REL



