Ami Kozeli i ARRSH i jep 10 MILIONË € Fushës, Ben Çelës demokratit dhe Ditika Qatipit

Një tjetër tender me vlerë kolosale, i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), është mbyllur me një skenar të njohur, skualifikimin e të gjithë garuesve të tjerë për t'i hapur rrugën fituesit të paracaktuar.
Tenderi me objekt "Plotësim i punimeve dhe përmirësimi estetik nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit", ka ngritur dyshime të forta mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procesit.
Në këtë garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, mes të cilëve emra të njohur të tregut të ndërtimit si "SALILLARI" sh.p.k dhe "4 A-M" sh.p.k. Megjithatë, ARRSH, nën mbikëqyrjen e Ami Kozelit, ka shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë të përbërë nga "FUSHA" SHPK, "UDHA" SHPK dhe "TAULANT" SHPK, me një ofertë prej 10 MILIONË €.
Sipas dokumentacionit zyrtar, procesi është shoqëruar me skualifikimin e të gjithë operatorëve të tjerë konkurrues. Arsyetimi zyrtar për këto përjashtime ka qenë mosplotësimi i kritereve të veçanta të kualifikimit të përcaktuara në Dokumentet Standarde të Tenderit (DST), duke u referuar në kundërshtim me nenin 77 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Fituesi i kësaj kontrate, kompania "UDHA" sh.p.k (e njohur më parë si "Vllaznia Ndërtim"), rezulton të jetë në qendër të disa raportimeve investigative. Pronari i saj, Arben Çela, ish-kandidat i Partisë Demokratike për kryebashkiak, përflitet se ka ndërtuar një skemë klienteliste të suksesshme me zyrtarë të lartë dhe kryebashkiakë socialistë, duke siguruar miliona euro nga paratë publike.
Bashkë me të edhe Çim Fusha, emër i njohur në tenderat e ndërtimit në kryeqytet, një nga klientët e preferuar të pushtetit lokal dhe shtetëror, së bashku me Ditika Qatipit të TAULANT SHPK./JOQ
Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "JOQ" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "JOQ". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

