Dëshmia e radhës në dosjen “Partizani”/ Ish-presidenti Bamir Topi paraqitet në gjykatë
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, është dëshmitari i radhës në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”.
Topi pritet të paraqitet në gjykatë në orën 11:00, ku do të japë dëshminë e tij në seancën ku vijon shqyrtimi në themel i çështjes.
Paraqitja e ish-presidentit vjen në një fazë të rëndësishme të procesit, ku trupi gjykues po vijon marrjen në pyetje të dëshmitarëve për të sqaruar rrethanat e çështjes.
Më herët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet nga gazetarët nëse dëshmia e Bamir Topit do të ishte në favor të tij.
Berisha u shpreh se nuk ka nevojë për dëshmi pro tij, duke përsëritur qëndrimin e tij se në çështjen ndaj tij nuk ka shkelje ligjore.
“Unë nuk kam nevojë për njeri në botë që të dëshmojë pro meje, sepse është dëshmuar që nuk ka asnjë shkelje ligjore, as edhe një shkelje të vogël ligjore. Ka trillime”, u shpreh Berisha.
Procesi për dosjen “Partizani” vijon me marrjen e dëshmive dhe shqyrtimin e provave të paraqitura në gjykatë.


