Studimi ngre alarmin: Mikroplastikat në gjak lidhen me rrezik më të lartë për atak kardiak

Studimi ngre alarmin: Mikroplastikat në gjak lidhen me rrezik më

Mikroplastikat mund të jenë një faktor i rëndësishëm që lidhet me problemet kardiovaskulare, sipas një studimi të ri italian të publikuar në revistën shkencore “European Heart Journal”.

Hulumtimi nuk provon se mikroplastikat shkaktojnë drejtpërdrejt atak kardiak, por zbulon një lidhje të fortë mes pranisë së këtyre grimcave në gjak dhe sëmundjeve të zemrës.

Sipas studiuesve, personat që kanë kaluar një atak kardiak kanë më shumë se dy herë gjasa që të kenë mikroplastika në gjakun e tyre, krahasuar me pacientët me sëmundje kronike të zemrës ose me arterie koronare të shëndetshme.

Studimi, i realizuar nga studiues të Universitetit “La Sapienza” të Romës, Universitetit të Veronës dhe Universitetit të Kampanjës “Luigi Vanvitelli” në Napoli, përfshiu 61 persona që iu nënshtruan angiografisë koronare pas dyshimit për atak kardiak.

Rezultatet treguan se 84.2% e pacientëve që kishin pësuar atak në zemër kishin mikroplastika në mostrat e gjakut, ndërsa përqindja ishte dukshëm më e ulët tek personat pa këtë problem.

Lloji më i zakonshëm i plastikës së zbuluar ishte polietileni, material që përdoret gjerësisht në paketime dhe produkte të përditshme.

Studiuesit vunë re gjithashtu se prania e mikroplastikave ishte më e shpeshtë tek personat e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit dhe tek duhanpirësit. Këta të fundit kishin rreth gjashtë herë më shumë gjasa të kishin grimca plastike në gjakun e tyre.

Ekspertët dyshojnë se tymi i duhanit dhe ndotja e ajrit mund të lehtësojnë hyrjen e mikro- dhe nanoplastikave në qarkullimin e gjakut përmes mushkërive.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se rezultatet nuk janë dëshmi përfundimtare se mikroplastikat shkaktojnë atak kardiak, por tregojnë një lidhje shqetësuese mes ndotjes mjedisore, pranisë së plastikës në trup dhe shëndetit të zemrës.

EMISIONET