Shtyhet gjykimi për masakrën e Reçakut/ Mungojnë kushtet ligjore për procesin ndaj 21 të akuzuarve

Shtyhet gjykimi për masakrën e Reçakut/ Mungojnë kushtet

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte në masakrën e Reçakut, ku akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, ka konstatuar se disa nga avokatët e të akuzuarve nuk janë pajisur ende me shkresat e lëndës, për këtë arsye seanca nuk mund të zhvillohej dhe u shty për mungesë të kushteve ligjore.

Gjykata bëri të ditur gjithashtu se për katër të akuzuar – Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq dhe Dragoslav Nikoliq – mungojnë avokatët mbrojtës, ndërsa Oda e Avokatëve të Kosovës nuk ka njoftuar se cilët janë përfaqësuesit e caktuar.

Prokurori special Ilir Morina deklaroi se Prokuroria ka kërkuar informacion për avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare dhe ka bërë përpjekje që ata të pajisen me materialet e rastit.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, aktakuza ndaj 21 të pandehurve është ngritur më 30 dhjetor 2025, me propozim për zhvillimin e gjykimit në mungesë, për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.

Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë në Reçak, si dhe për trajtim çnjerëzor, dëbime, shkatërrim të pasurisë dhe shkelje të rënda të rregullave të së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit ishin pjesëtarë të strukturave të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përfshirë njësi të ndryshme policore dhe ushtarake./TELEGRAFI

 

 

EMISIONET