Hapet thirrja për trajnimin e përfituesve të ndihmës sociale/ Synohet punësimi dhe integrimi në tregun e punës

Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar hapjen e Thirrjes Publike për Ofrimin e Programeve të Zhvillimit të Aftësive për përfituesit e Programit të Ndihmës Sociale.
Sipas Hotit, qëllimi i kësaj nisme është krijimi i mundësive konkrete për qytetarët e aftë për punë, përmes trajnimeve profesionale që do t’i ndihmojnë ata të fitojnë aftësi të reja, të punësohen dhe të sigurojnë një të ardhme më të qëndrueshme.
Ai ka bërë të ditur se gjatë zbatimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale është evidentuar nevoja për zhvillimin e mëtejshëm të shkathtësive profesionale te një pjesë e përfituesve.
Trajnimet do të zhvillohen në profesione që kanë kërkesë në tregun e punës dhe do të organizohen në të shtatë rajonet e Kosovës. Programet do të përfshijnë së paku 200 orë mësim teorik dhe praktik, certifikim profesional si dhe mbështetje për punësim.
Hoti ka ftuar ofruesit jopublikë të trajnimeve, të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve ose institucione ndërkombëtare të akreditimit, që të aplikojnë deri më 7 gusht 2026.
Sipas tij, kjo reformë synon ndryshimin e qasjes ndaj mbrojtjes sociale, duke kaluar nga ndihma e përkohshme drejt krijimit të mundësive për zhvillim dhe punësim.


