AMA publikon bilancin: 110 vendime në një vit, mbi 80% të fituara në gjykatë

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, raportoi në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik mbi punën e institucionit gjatë vitit të kaluar, duke sjellë shifra për vendimmarrjen, ankesat dhe kontrollin e mediave.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 AMA ka marrë rreth 110 vendime, ndërsa në pesë vitet e fundit numri total i tyre ka kaluar 550.
Më shumë se gjysma janë miratuar me dakordësi të plotë mes anëtarëve të bordit. Vendimet kanë përfshirë licenca, autorizime, gjoba për shkelje dhe masa për përmbajtje audiovizive, përfshirë edhe raste piraterie.
Krasniqi tha se një pjesë e madhe e punës së AMA-s lidhet me monitorimin e mediave dhe zgjedhjeve, si dhe me trajtimin e ankesave të qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2025 janë shqyrtuar 432 ankesa, shumica e tyre të ardhura drejtpërdrejt nga qytetarët.
Ajo shtoi se gjykatat kanë konfirmuar shumicën e vendimeve të AMA-s. Nga 49 procese të shqyrtuara në pesë vitet e fundit, 44 janë fituar nga institucioni, duke përbërë rreth 82% të rasteve.
Sipas saj, këto rezultate tregojnë se puna e AMA-s bazohet në ligj dhe profesionalizëm, ndërsa pavarësia e institucionit lidhet me vendimet që merren dhe mënyrën si ato mbrohen në praktikë.
Gjatë vitit 2025 janë konstatuar edhe 106 raste shkeljesh nga 329 programe të monitoruara, ku janë marrë masa si gjoba dhe paralajmërime ndaj operatorëve mediatikë.


