Fino: Kapitulli 31, ndër më të avancuarit në negociatat e Shqipërisë me BE-në

Fino: Kapitulli 31, ndër më të avancuarit në negociatat e

Kapitulli 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes” mbetet një nga kapitujt më të avancuar të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi sot zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Fino, në cilësinë e negociatores përgjegjëse për Kapitullin 31 dhe bashkënegociatore për Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”, theksoi se në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Evropian kapitulli 31 është vlerësuar me nivelin më të lartë të përgatitjes.

“Ky avancim merr rëndësi të veçantë strategjike si për Shqipërinë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përballet me paqëndrueshmëri në rritje”, tha ajo.

Fino theksoi se, Shqipëria vijon të jetë një partnere e besueshme e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke u linjëzuar 100% me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe me vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian për masat shtrënguese.

“Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kemi realizuar 52 linjëzime me deklaratat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian”, u shpreh ajo.

Fino bëri të ditur se për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare është ngritur Komiteti Kombëtar për Masat Shtrënguese, ndërsa Shqipëria vijon angazhimin aktiv në organizata dhe forume ndërkombëtare si OKB, OSBE dhe UNESCO.

Duke folur për sigurinë kibernetike dhe kërcënimet hibride, ajo nënvizoi se Shqipëria ka forcuar kuadrin ligjor dhe institucional për adresimin e dezinformimit dhe këtyre fenomeneve. Në këtë kuadër, vendi është anëtarësuar në Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride dhe së fundmi, më 14 maj, edhe në Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese në Estoni.

Zëvendësministrja theksoi gjithashtu se në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është ngritur një sektor i posaçëm për çështjet e sigurisë kibernetike, si dhe grupi ndërinstitucional kundër kërcënimeve hibride.

Sa i përket Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me jashtë”, Fino tha se ai lidhet me përafrimin e politikave tregtare, zhvillimore dhe humanitare të Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Ajo vuri në dukje se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka udhëhequr procesin e hartimit të dokumentit të politikave dhe projektligjit për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim dhe ndihmën humanitare, në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian.

“Shqipëria po kalon gradualisht nga një vend kryesisht përfitues i asistencës ndërkombëtare drejt një roli më aktiv si kontribuues në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Për këtë arsye nevojitet një kuadër i qartë ligjor, institucional dhe financiar”, tha ajo.

Fino informoi deputetët se për Kapitullin 31 Shqipëria ka vetëm një piketë përmbyllëse (closing benchmark), ndërsa për Kapitullin 30, në fushat që mbulon Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk ka piketa përmbyllëse.

Pas prezantimit, Komisioni vendosi me shumicë votash që pjesa e mbetur e seancës dëgjimore të zhvillohej me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së çështjeve të trajtuara.

EMISIONET