"'Hapet dritarja' për diplomaci në Ukrainë"/ Merz: Rusia nuk mund të fitojë më luftën

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka lënë të kuptohet se mund të jetë hapur një mundësi për nisjen e bisedimeve diplomatike për luftën në Ukrainë, duke vlerësuar se situata në terren po ndryshon gradualisht.
Gjatë nisjes për në samitin e G7 në Francë, ai u shpreh se Ukraina ndodhet në një pozicion më të fortë se më parë dhe se Rusia nuk ka më mundësi të sigurojë fitore ushtarake. Sipas tij, edhe gjendja ekonomike e Rusisë është dobësuar ndjeshëm.
Merz tha se këto zhvillime mund të krijojnë kushte për një fazë të re diplomatike, nëse shfrytëzohen me kujdes dhe maturi.
Ai iu referua edhe një pakete me pesë pika të dakorduara më herët mes Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, që mund të shërbejnë si bazë për negociata të ardhshme.
Kancelari gjerman përmendi gjithashtu situatën globale, duke e cilësuar periudhën aktuale si të vështirë për politikën ndërkombëtare, me tensione të larta në disa rajone të botës.
Samiti i G7 po zhvillohet në Francë deri më 17 qershor dhe pritet të fokusohet kryesisht në luftën në Ukrainë, sigurinë globale dhe ekonominë.


