Vijnë dënimet e para për 'Flamingot e Kryeministrisë"/ Nxitën marshimin prej 5 orësh drejt Rinasit, procedohen 19 persona. Mes tyre organizatorë dhe pjesëmarrës

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 19 persona, të dyshuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në bllokimin e rrugës që çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit zyrtar, veprimet hetimore kanë nisur pas tubimit të zhvilluar më 14 qershor 2026 në kryeqytet, i cili fillimisht ishte njoftuar për t’u mbajtur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara Kryeministrisë.
Gjatë protestës, sipas hetimeve, një pjesë e organizatorëve kanë bërë thirrje për zhvendosjen e tubimit drejt aksit rrugor të Rinasit, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit dhe vështirësi në lëvizjen e qytetarëve.
Në përfundim të veprimeve, ndaj 19 shtetasve është nisur procedim penal në gjendje të lirë për “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme” si dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Dy automjete janë sekuestruar në kuadër të hetimeve.
Policia po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në organizimin dhe bllokimin e aksit rrugor.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Organizuan dhe nxitën qytetarët për të bllokuar rrugën, procedohen penalisht 19 shtetas.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës për bllokimin e aksit rrugor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera pas tubimit të zhvilluar më datë 14.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe procedimin penal të personave organizatorë dhe përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Si dhe janë sekuestruar dy automjete.
Nga veprimet hetimore rezulton se më datë 14.06.2026, rreth orës 18:00, ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë, në Tiranë. Tubimi ishte parashikuar të zhvillohej nga ora 18:00 deri në orën 22:00.
Gjatë zhvillimit të tij, sipas veprimeve hetimore të kryera, drejtues dhe organizatorë të tubimit kanë bërë thirrje për vazhdimin e lëvizjes së pjesëmarrësve nga zona përpara Kryeministrisë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


