Zvarritja e kampionëve të botës në gjysmëfinalet e Botërorit 2026/ Prokopi: Kemi katër skuadra që i japin ritmin futbollit

Gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026 kanë formësuar një tablo sa të pritur aq edhe surprizuese, duke sjellë përballë katër kolosë të futbollit modern: Argjentinën, Francën, Spanjën dhe Anglinë. Përballjet e kësaj faze vlerësohen si finale të parakohshme, ku çdo skuadër ka dëshmuar rrugëtime dhe ritme të ndryshme, duke premtuar spektakël të garantuar për tifozët.

Aktualisht, duket e pamundur të gjendet një pikë e dobët në formacionin e "Gjelave". Ndërkohë, Spanja, kampione e Europës në fuqi, nuk ka shkëlqyer me talentet e saj si Lamine Yamal apo Nico Williams siç pritej. Në vend të lojës spektakolare, iberikët kanë treguar një qasje tejet pragmatike, duke i zgjidhur ndeshjet kryesisht me lojtarë nga stoli si Oyarzabal apo Merino.

I ftuar në studion e “Sport Focus” në "ORA NEWS" , Gazetari i Sportit, Mantho Prokopi, theksoi se këto janë skuadrat që aktualisht diktojnë ritmin e futbollit evropian dhe botëror. Argjentina, kampione në fuqi, ka pasur një rrugëtim relativisht të lehtë, por ka shfaqur dobësi duke vuajtur ndaj ekipeve të nivelit më të ulët.

Nga ana tjetër, Franca mbetet pretendentja kryesore, duke treguar një lojë të frikshme dhe pa pika të dobëta të dukshme. Spanja nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive krahasuar me formën në Kampionatin Evropian, duke u mbështetur te një lojë më pragmatike. Ndërkohë, Anglia ka arritur të kalojë momente shumë të vështira kryesisht falë shkëlqimit të individëve si Jude Bellingham dhe Harry Kane.

Një temë e nxehtë e këtij botërori mbetet edhe çështja e arbitrimit. Trajnerë të ndryshëm kanë hedhur akuza për favorizim të Argjentinës dhe Lionel Messit nga FIFA, me synimin për të çuar yjet sa më larg në kompeticion për arsye marketingu dhe audience, duke njollosur sadopak imazhin e turneut. 

"Pa diskutim, po të shohim tablonë e katër ekipeve gjysmëfinaliste, po e mendoja pak përpara, kemi kampionët e botës në fuqi Argjentina, kemi nënkampionët e botës Franca, kemi kampionët e Europës në fuqi Spanja dhe kemi Anglinë që ka perfeksionuar futbollin modern që ne kemi sot. Pra janë katër skuadra që qartazi japin tempin dhe ritmin futbollit europian dhe botëror, kështu që premtohet spektakël.

Në atë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës deri tani në këtë botëror, le të themi që plus minus janë katër skuadra që kanë bërë dhe më mirë në fushën e lojës. Argjentina disi me rezerva, e thënë kjo edhe për shkak të rrugës së lehtë që pati, por dhe për faktin që edhe pse pati një rrugë të lehtë, vuajti goxha shumë me skuadra të nivelit nën nivelin që ka vetë Argjentina. Por janë kampionët e botës në fuqi, është ajo skuadra ndoshta me shpirtin e garës më të madh që kanë mes tyre, kanë një Leo Messi i cili pa diskutim i ka zgjidhur problemet më të rëndësishme Argjentinës kur është dashur në kohën e duhur dhe vijnë pastaj me tre skuadrat e tjera europiane që janë shumë të frikshme për të thënë të vërtetën.

E para, pa diskutim pretendentja kryesore Franca, është një, po themi një skuadër në perfeksion. Pra nëse do të diskutojmë se ku mund ta godasësh Francën ose kush është pika më e dobët e Francës, s'e dimë përgjigjen sot që flasim. Pikë e dobët e Francës askush nuk e di. Pastaj vjen Spanja që për të thënë të vërtetën vinte me një emër shumë të madh në këtë botëror, vinte në petkun e pretendentit, por me atë çfarë ka treguar deri më tani në këtë botëror nuk është ajo Spanja që ne kemi parë të paktën me përfaqësimin e tyre që bënë në Europian para dy viteve.

Nuk është ajo Spanjë me talente të shkëlqyeshëm që kishte. Mungon një Nico Williams, jo në formë krahasimisht me Europianin, por dhe një Lamine Yamal i cili pritej të merrte për dore Spanjën në këtë botëror dhe të shkëlqente në botërorin e tij të parë, asnjë gjë nuk ka ndodhur.

Pra është një Spanjë që problemet i ka zgjidhur në mënyrë shumë pragmatike me një gol diferencë dhe me gola që vijnë me lojtarë nga stoli si Oyarzabal apo Mikel Merino. Pra nuk është një Spanjë e cila po themi ka fuqi goditëse dhe mund t'i hapi shumë probleme Francës në atë çfarë shohim në letër deri më tani. Pastaj Anglia, Anglia është një përfaqësuese shumë interesante pasi edhe kjo vinte me petkun e pretendentit siç vjen në çdo botëror dhe europian Anglia për të thënë të vërtetën."- tha ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

 

EMISIONET