Korrupsioni zgjedhor në vitin 2021/ GJKKO dënon 4 persona, zbardhet skema e blerjes së votave

Korrupsioni zgjedhor në vitin 2021/ GJKKO dënon 4 persona, zbardhet

Gjykata e Posaçme ka dënuar katër persona të cilët akuzohen për korrupsion zgjedhor, vepër penale kjo e kryer gjatë kohës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Treshja gjykuese e përbërë nga Marinela Osmani, Etleva Deda dhe Bib Ndreca, vendosi shpalljen fajtor të Ndoc Gurit dhe dënimin e tij me 2 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 1 vit e 4 muaj burgim, vendim i cili nuk do të ekzekutohet pasi gjykata vendosi ta pezullojë dhe ta vërë të pandehurin në shërbim prove për një afat prej 2 vitesh.

Me të njëjtat rrethana dënimi u njoh edhe i pandehuri tjetër, Arben Kolaj, i cili së bashku me Ndoc Gurin akuzohet për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Edhe për Kolajn gjykata vendosi 2 vite shërbim prove.

Ndërkohë, Ndrekë Lera u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme duke u ngarkuar me përgjegjësi penale vetëm për korrupsion aktiv në zgjedhje. Nisur nga kjo, gjykata e vendosi atë në shërbim prove për një afat 4-vjeçar.

Ilir Sokoli është i pandehuri tjetër që nga Gjykata e Posaçme u njoh me dënimin prej 1 vit e 6 muaj burgim për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ndryshe nga të pandehurit e tjerë, për këtë të fundit gjykata vendosi konvertimin e dënimit në 120 orë punë në interes të komunitetit.

SPAK thotë se nga analiza e provave të grumbulluara në kuadër të këtij hetimi rezulton se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës.

Skema korruptive konsistonte në një model të organizuar të blerjes së votës, ku individë të lidhur me një forcë politike kanë ofruar shuma të caktuara parash (rreth 5 000 lekë për votë) për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e vet, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhësit e tjerë.

Gjatë hetimeve janë përdorur mjete të posaçme hetimi, përfshirë përgjimet telefonike, të cilat kanë evidentuar se shtetasi Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik.

EMISIONET