Argjentina rikthen fanellën blu kundër Anglisë, si në ndeshjen historike të Maradonës në vitin 1986

Argjentina rikthen fanellën blu kundër Anglisë, si në

Gjysmëfinalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Anglisë, e planifikuar për të mërkurën, pritet të jetë një nga sfidat më emocionuese të turneut. Përballja mes Lionel Messit dhe Harry Kane nuk sjell në vëmendje vetëm betejën për një vend në finale, por edhe kujtimet e një prej ndeshjeve më ikonike në historinë e futbollit.

Më 22 qershor 1986, në stadiumin “Azteca” të Mexico City, Argjentina dhe Anglia u përballën në çerekfinale, ku Diego Armando Maradona realizoi dy gola legjendarë. I pari hyri në histori si “Dora e Zotit”, ndërsa i dyti u konsiderua për shumë vite si “Goli i Shekullit”, pas një aksioni individual spektakolar.

Katër dekada më vonë, “Albiceleste” synon të mbështetet edhe te tradita. Sipas raportimeve të mediave argjentinase, federata e futbollit e vendit ka kërkuar nga FIFA lejen për të zbritur në fushë me fanellën e dytë, atë blu, njësoj si në triumfin historik ndaj Anglisë në Botërorin e vitit 1986.

Edhe pse dizajni dhe nuancat e fanellës kanë ndryshuar me kalimin e viteve, ngjyra blu konsiderohet si një ogur i mirë për Argjentinën në përballjet me anglezët.

Një tjetër precedent pozitiv është ai i Botërorit 1998 në Francë, kur Argjentina eliminoi Anglinë në fazën e 1/8-ave pas goditjeve të penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesa përfunduan në barazim 2-2. Edhe në atë ndeshje, argjentinasit mbanin veshur fanellën blu.

Sipas burimeve të fundit nga mediat argjentinase, FIFA e ka miratuar kërkesën, duke i hapur rrugën Argjentinës që të rikthejë fanellën e saj fatlume në një tjetër duel historik ndaj Anglisë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse supersticioni do të shoqërohet edhe me një tjetër sukses në fushën e lojës.

EMISIONET