“Kemi pranuar 50% të dh*nës duke e quajtur normë”/ Vishnaj: Si nisin sjelljet agr*sive dhe pse duhet të reagojmë menjëherë
Dhuna në marrëdhënie dhe në familje nuk është një ngjarje që shpërthen papritur, por një proces që nis me testime të vazhdueshme të kufijve nga ana e abuzuesit.
E ftuar në studion e lajmeve në "ORA NEWS", Psikologia, Renisa Beqiri, theksoi se gjithçka mund të fillojë nga një komunikim agresiv, si ngritja e zërit apo refuzimi për t'i lënë hapësirë tjetrit për të argumentuar, për të kaluar më pas tek agresioni fizik, i cili shpesh justifikohet si një 'gabim i momentit'. Në një situatë ku ne jemi dëshmitarë të humbjeve fatale të jetës së grave në Shqipëri, është urgjente të kuptojmë se si dhuna bëhet një normë e përditshme.
Kur një person pranon një sjellje të dhunshme pa kërkuar argumente apo llogari, ai automatikisht e normalizon atë në masën 50%. Më pas, fillon 'testimi': një e bërtitur, një shuplakë, dhe pastaj një agresion i përditshëm. Shpesh, dhunuesit kërkojnë falje thjesht për procedurë dhe për të manipuluar viktimën, dhe jo si një pendesë e vërtetë. Ekspertja shtoi se është e rëndësishme që rastet e tilla të mos heshten, por të kërkohet ndihma tek familjarët apo organet kompetente.
Ekziston një element i rëndësishëm i profilit të dhunuesit: shumë prej tyre mund të vuajnë nga problematika të shëndetit mendor, si mungesa e kontrollit të emocioneve, narcizizmi ose psikopatia. Për ta përkeqësuar situatën, ende në shoqërinë tonë mbijeton mentaliteti i vjetëruar dhe i rrezikshëm si 'kush të rreh, të do' ose 'druri ka dalë nga xheneti'. Për aq kohë sa ne ecim me këto parime, jo vetëm që do të përjetojmë dhunë, por do të vazhdojmë të prodhojmë dhunues në të ardhmen.
"Kur ne dhunohemi, ne nuk mund ta kontrollojmë personin tjetër. E vetmja gjë që ne mund të kontrollojmë, ne mund të kontrollojmë veten tonë. Mirëpo nëse ne edukohemi që dhuna është normë dhe nëse dikush të bërtet, nëse dikush të dhunon dhe nuk të argumenton se çfarë ka ndodhur, thjesht e bën, automatikisht ne kemi pranuar 50% të sjelljeve të dhunshme duke e konsideruar që kjo është diçka shumë normale dhe është diçka që nuk më ndodh vetëm mua.
Dhe në fakt fatkeqësisht në Shqipëri, pavarësisht se ne kemi këto rastet e humbjes së jetës, dhuna është e përditshme. Pra, nuk janë këto të vetmet gra të cilat janë dhunuar, por ka dhe gra të tjera të cilat dhunohen çdo ditë, por thjesht nuk e kemi atë humbjen fatale, ose humbjen e jetës, atë që është më fatalja. Dhe sjelljet e dhunshme nuk nisin nga direkt si një dhunim i jashtëzakonshëm. Heqim këtu raste përjashtimore kur mund të ndodhë një situatë e caktuar dhe mund të kemi një dhunë shumë të madhe.
Sjelljet e dhunshme fillojnë dhe testohen. Testohen nga një e bërtitur, më pas një shuplakë, më pas tre shuplaka, më pas 'kot të bërtita se ashtu më erdhi mua', më pas 'mos më ngri zërin mua' dhe më pas fillon dhe bëhet një normë e përditshme. Si ne duhet të fillojmë të reagojmë? Duhet të fillojmë të reagojmë që në momentet e para kur ne shikojmë që personi tjetër ka një komunikim agresiv. E çfarë nënkuptojmë me komunikim agresiv?
Nënkuptoj një ton të zërit të lartë, një moslejim i hapësirës për të argumentuar, sepse ti e ke bërë një sjellje të caktuar, pra, ti mund ta kishe bërë një sjellje të caktuar ose mund të mos e kishe bërë një sjellje të caktuar, ti ke të drejtën për të treguar versionin tënd, dhe më pas, çfarë duhet të dënohet në mënyrë automatike, edhe tendenca për dhunë.
Pra, edhe thjesht ngritja e dorës përpara se dikush tjetër të kalojë në veprim. Që këtu duhet të fillojë që të mendojmë kush është personi i cili ndodhet përpara nesh. Pasi agresioni, ato që quhen 'red flags', ose ato që quhen sjellje shumë trigëruese, ose shumë identifikuese, nisin nga zëri i lartë, toni, nisin nga moslejimi i hapësirës që ti të tregosh versionin tënd, tentativat për të dhunuar dhe pastaj dhuna."-theksoi ajo.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE




