Atlanta forcon masat e sigurisë për përballjen Angli-Argjentinë, priten trazira

Atlanta forcon masat e sigurisë për përballjen

Autoritetet në Atlanta kanë shtuar masat e sigurisë në prag të ndeshjes mes Anglisë dhe Argjentinës, e vlefshme për Botërorin e Klubeve, duke angazhuar personel shtesë në zonat kryesore të qytetit. Policia e Atlantës njoftoi se forca të shumta të rendit janë vendosur në stadium, në zonat e argëtimit dhe në pika të tjera me fluks të lartë njerëzish, me synimin për të garantuar sigurinë e tifozëve dhe vizitorëve.

“Personel shtesë është tashmë në terren dhe do të dislokohet në vendin e zhvillimit të ndeshjes, në zonat e argëtimit dhe në vende të tjera të frekuentuara, për të siguruar një eksperiencë të sigurt dhe të këndshme për të gjithë”, thuhet në deklaratën e policisë. Sipas autoriteteve, masat e marra kanë karakter parandalues, me qëllim mbrojtjen e publikut, frenimin e aktiviteteve kriminale dhe garantimin e zhvillimit të qetë të këtij eventi.

Pritet që stadiumi me kapacitet prej 75 mijë vendesh të mbushet pothuajse në mënyrë të barabartë nga tifozët e të dyja skuadrave, falë pranisë së komuniteteve të mëdha të emigrantëve anglezë dhe argjentinas në Shtetet e Bashkuara.

Një numër i konsiderueshëm tifozësh argjentinas pritet të udhëtojnë drejt Atlantës nga Florida, ku jeton një diasporë e madhe e këtij vendi. Ndërkohë, edhe numri i tifozëve anglezë pritet të rritet ndjeshëm në orët para ndeshjes, me mijëra mbështetës që do të mbërrijnë në qytet.

Njësia britanike e policimit të futbollit, e cila ndodhet aktualisht në Shtetet e Bashkuara, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale për të identifikuar dhe menaxhuar çdo situatë që mund të paraqesë rrezik gjatë zhvillimit të ndeshjes.

EMISIONET