“TËRMET” NË FUTBOLL/ UEFA i del kundër FIFA-s për planin e dyshuar të biznesit me Kupën e Botës

Një raport i publikuar nga gazeta britanike “The Times” ka hapur një debat të fortë në botën e futbollit, duke vendosur përballë dy institucionet më të fuqishme të këtij sporti, FIFA-n dhe UEFA-n.
Sipas raportit, presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, po shqyrton një projekt që lidhet me blerjen e aksioneve në një kompani e cila do të kishte rol në menaxhimin e Kupës së Botës.
Lajmi ka sjellë reagim të menjëhershëm nga UEFA, e cila ka dalë kundër këtij projekti dhe ka kërkuar transparencë për çdo nismë që lidhet me organizimin dhe të ardhmen e futbollit.
Në reagimin e saj zyrtar, UEFA ka paralajmëruar se qeverisja e futbollit nuk mund të trajtohet si një aset financiar për t’u tregtuar dhe se çdo vendim i madh duhet të shoqërohet me transparencë të plotë.
“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë pasuri për t’u tregtuar”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
Institucioni europian ka bërë thirrje që Federatat Kombëtare, klubet, ligat, lojtarët dhe tifozët të ndjekin me kujdes zhvillimet, duke e konsideruar çështjen si një moment të rëndësishëm për mënyrën se si do të drejtohet futbolli në të ardhmen.
Raporti i “The Times” përmend gjithashtu se në diskutimet për këtë projekt është përfshirë edhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Një nga emrat e lidhur me investimet e mundshme është biznesmeni amerikan Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, i cili është bashkëshorti i Ivanka Trump, vajzës së presidentit amerikan.


