Ruben Amorim pranon dështimin te Manchester United: Bëra shumë gabime, mësova shumë

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, ka folur për periudhën e tij të vështirë në “Old Trafford”, duke pranuar se përgjegjësia për dështimin nuk ishte vetëm e klubit, por edhe e tij.
Portugezi, i cili tani drejton Milanin, tha se eksperienca në Angli e ka ndihmuar të rritet si trajner dhe si person, duke pranuar se ka bërë shumë gabime gjatë qëndrimit të tij te “Djajtë e Kuq”.
“Gjëja e parë është se tani kjo nuk ka më rëndësi. Është pjesë e historisë. Gjërat ndryshojnë dhe ti fokusohesh te sfida e radhës”, deklaroi Amorim gjatë konferencës për media në turneun parasezonal të Milanit.
Ai shtoi se reflektimi mbi periudhën në Manchester e ka bërë të kuptojë gabimet e tij.
“Mësova shumë. Është e vështirë të veçosh vetëm një gjë, por ajo që e di qartë është se kam bërë shumë gabime. Kur kupton se nuk ishte vetëm faji i të tjerëve, por edhe i imi, atëherë bëhesh trajner dhe njeri më i mirë”, u shpreh ai.
Amorim u emërua në krye të Manchester Unitedit pasi klubi pagoi rreth 11 milionë funte për ta liruar nga kontrata me Sportingun e Lisbonës, por aventura e tij në “Old Trafford” zgjati vetëm 14 muaj.
Rezultatet e dobëta, mungesa e një identiteti të qartë në lojë dhe problemet brenda klubit çuan në largimin e tij, ndërsa tashmë portugezi është përqendruar te sfida e re në stolin e Milanit.


