Mrekullia e futbollit europian/ Klubi nga fshati me vetëm 1,500 banorë siguron historikisht fazën e ligës

Mrekullia e futbollit europian/ Klubi nga fshati me vetëm 1,500 banorë

Mjällby AIF ka shkruar një nga historitë më të bukura të futbollit evropian, duke siguruar për herë të parë në histori pjesëmarrjen në fazën e ligës së një kompeticioni evropian.

Skuadra suedeze eliminoi Lincoln Red Imps të Gjibraltarit me rezultat të përgjithshëm 3-0, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e kthimit, duke garantuar të paktën një vend në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.

Suksesi vjen vetëm një sezon pasi Mjällby fitoi titullin e parë kampion dhe Kupën e Suedisë, duke vazhduar ngritjen e jashtëzakonshme të klubit.

Ajo që e bën këtë histori edhe më të veçantë është fakti se klubi vjen nga Hällevik, një fshat me rreth 1,500 banorë në jug të Suedisë. Stadiumi i tij, Strandvallen, ndodhet buzë Detit Baltik dhe ka një kapacitet prej rreth 6,000 spektatorësh.

Deri pak vite më parë, Mjällby garonte në kategorinë e tretë dhe në vitin 2016 ishte pranë falimentimit. Sot, pa yje të mëdhenj dhe me një buxhet modest, klubi ka siguruar një vend mes skuadrave që do të luajnë në fazën e ligës të garave evropiane.

Në raundin e ardhshëm kualifikues, Mjällby do të përballet me fituesin e çiftit Slovan Bratislava – Iberia 1999, me synimin për të vazhduar ëndrrën evropiane.

EMISIONET