Trump kërcënon sërish Iranin: Nëse nuk ka marrëveshje, do ta përfundoj punën

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur sërish presionin ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të godasin infrastrukturën strategjike të vendit nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin.
Në një intervistë për “Fox News”, Trump tha se SHBA-ja dhe Irani kanë zhvilluar bisedime “shumë të mira”, por theksoi se në rast dështimi të negociatave, ai do të ndërmarrë veprime të tjera.
“Nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë unë do të kthehem dhe do ta përfundoj punën”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se çdo goditje ndaj Iranit do të kishte pasoja afatgjata për vendin. “Atyre do t’u duhet një kohë shumë e gjatë për t’i rindërtuar. Do t’u duhen shumë vite për ta rikthyer gjithçka”, tha presidenti amerikan.
Trump foli gjithashtu për Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll mbi kalimin në këtë zonë.
“Vetëm anijet që ne duam të kalojnë, kalojnë”, u shpreh ai.
Përplasjet mes Uashingtonit dhe Teheranit pritet të jenë një nga temat kryesore të takimit të Trumpit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.


