Nuk 'bindet' Gjykata Supreme/ Ervin Mata mbetet në burg, Prokuroria braziliane pro ekstradimit në Shqipëri

Gjykata Supreme e Brazilit ka refuzuar kërkesën e Ervin Matës për revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ndërsa procesi për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë vijon. Prokuroria braziliane është shprehur në favor të dorëzimit të tij tek autoritetet shqiptare.
Sipas vendimit të gjyqtarit Alexandre Moraes, nuk ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që të justifikojnë lirimin e Matës ose zëvendësimin e arrestit me një masë tjetër sigurie.
Gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes dhe se mbajtja në arrest është një kusht i domosdoshëm për garantimin e procesit të ekstradimit.
Po ashtu, u rrëzua edhe pretendimi i mbrojtjes se Shqipëria nuk kishte paraqitur në kohë kërkesën për ekstradim. Sipas gjykatës, autoritetet shqiptare e kanë formalizuar rregullisht kërkesën, duke përmbushur të gjitha kriteret e parashikuara nga legjislacioni brazilian.
Gjykata refuzoi edhe kërkesën për verifikime shtesë mbi kompetencën e autoriteteve shqiptare dhe ekzistencën e hetimeve në Brazil apo Gjermani, duke arritur në përfundimin se dokumentacioni i dorëzuar nga Shqipëria është i plotë dhe nuk kërkon procedura të tjera hetimore.
Ervin Mata u arrestua në prill në Ilha Bela të Brazilit, ku përdorte dokumente britanike të vlefshme deri në vitin 2030 për t'iu shmangur autoriteteve. Shqipëria kishte kërkuar arrestimin e tij që prej vitit 2023.
Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me 11 persona, mes të cilëve edhe djali i ish-zyrtarit të policisë Erzen Breçani. Sipas dosjes hetimore, ai akuzohet për koordinimin e trafikimit të 250 kilogramëve kokainë nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani në vitin 2020.
Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale. Ervin Mata është i njohur edhe për përplasjen e ndodhur në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja e Ervis Martinajt.



