Nga zhgënjimi te Mercedesi në "shef" te Ferrari / Hill: Skuadra tani dëgjon vetëm Lewis

Legjenda e Formula 1, Damon Hill, beson se Lewis Hamilton po luan një rol vendimtar në transformimin e Ferrarit, duke ndikuar jo vetëm në pistë, por edhe në drejtimin teknik të skuadrës italiane.
Sipas ish-kampionit të botës, shtatë herë kampioni i Formula 1 ka lënë pas periudhën e vështirë te Mercedesi dhe po rikthehet në nivelin e tij më të lartë, ndërsa po fiton gjithnjë e më shumë peshë brenda Ferrarit.
“E kemi parë zhgënjimin e tij pas Abu Dabit dhe vitet e vështira me një makinë jo konkurruese te Mercedesi. Tani ai është rikthyer dhe ka një makinë të fortë. Mendoj se ka arritur ta bëjë Ferrarin ta dëgjojë”, deklaroi Hill.
Sipas tij, ndikimi i Hamiltonit është i dukshëm edhe në aspektin teknik. Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me sistemin e frenimit, ku britaniku ka kërkuar përdorimin e konfigurimeve të ndryshme për të përmirësuar ndjesinë e makinës në pistë.
Këto ndryshime kanë dhënë rezultat, aq sa edhe Charles Leclerc ka zgjedhur të përdorë konfigurime të ngjashme, një tregues i qartë i ndikimit që Hamilton po ushtron brenda ekipit.
Hill vlerësoi gjithashtu rolin e drejtorit të skuadrës, Frédéric Vasseur, duke e cilësuar atë si një aleat të rëndësishëm të pilotit britanik.
“Vasseur e kupton Hamiltonin dhe i jep zë kërkesave të tij brenda skuadrës. Është një bashkëpunim shumë i rëndësishëm”, theksoi ai.
Sipas Hill, besimi në sistemin e frenimit është thelbësor në Formula 1 dhe përmirësimet e kërkuara nga Hamilton mund të shënojnë fillimin e një epoke të re për Ferrarin në garat e ardhshme.



