LETRA E HAPUR PËR RAMËN/ Pas largimit nga PS, deputetja e maleve i kërkon dorëheqjen: Shqiptarët nuk frymëzohen më nga ju

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si "Neomalësorja", ka publikuar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku kërkon që ai të reflektojë mbi situatën politike dhe t'i japë fund mandatit të tij përmes dorëheqjes.
Reagimi i saj vjen pas largimit nga Partia Socialiste dhe kalimit si deputete e pavarur, një lëvizje që u shoqërua me tensione politike.
Koçeku është bërë gjithashtu pjesë e protestave që po zhvillohen kundër qeverisë.
Në letrën e saj, ajo shkruan se protestat e javëve të fundit janë shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes.
Sipas saj, qytetarët po kërkojnë të dëgjohen dhe të respektohen, ndërsa vendi po përballet me një krizë besimi ndaj politikës.
Koçeku shprehet se shqiptarët nuk frymëzohen më nga politika e vjetër dhe se pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite kanë krijuar një distancë të madhe mes qytetarëve dhe pushtetit.
Ajo përmend edhe kauza të ndryshme qytetare, përfshirë kundërshtimet ndaj projekteve në zona si Zvërneci dhe Rrjolli.
Një pjesë e letrës ndalet edhe te largimi i saj nga Partia Socialiste.
Ajo shkruan se brenda forcës politike ku bënte pjesë nuk gjeti hapësirë për mendimin ndryshe dhe debatin, ndërsa vendimi për t'u larguar ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë.
Deputetja i kërkon kryeministrit të dëgjojë zërin e protestuesve dhe të qytetarëve, duke e cilësuar dorëheqjen si një akt politik që do t'i shërbente uljes së tensioneve dhe hapjes së një kapitulli të ri politik në vend.
"Jeni ende në kohë", shkruan Koçeku në mbyllje të letrës së saj, duke i bërë thirrje Ramës që të largohet me dinjitet nga drejtimi i qeverisë.


