Blushi: Halli ynë kombëtar nuk është një emër, por urrejtja e egër ndaj Kosovës dhe UÇK-së

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe deputeti Tedi Blushi ka reaguar me tone të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama, pas debatit publik të këtij të fundit me Dritan Goxhaj.
Në një postim në Facebook, Blushi pretendon se sulmi i Ramës nuk lidhet me një individ të vetëm, por me qëndrime që ai i konsideron të lidhura me çështjen kombëtare dhe Kosovën.
Postimi i plotë:
Edi Rama nuk e ka konfliktin me Dritan Goxhajn. Ai e ka inatin me Kosovën, me interesin kombëtar, me të gjithë shqiptarët patriotë dhe me këdo që nuk pajtohet dhe as i nënshtrohet politikës së tij të verbër antikombëtare të vasalitetit ndaj Beogradit dhe gjithë armiqve të Shqipërisë.
Nuk ishte Dritan Goxhaj ai që mbështeti projektin e rrezikshëm për copëtimin e Kosovës.
Nuk ishte Dritan Goxhaj ai që promovoi “Ballkanin e Hapur” krah Vuçiçit.
Nuk ishte Dritan Goxhaj ai që hodhi në gjyq Kryeministrin e Kosovës (Ramush Haradinaj) dhe që ka hyrë në përplasje të pandalshme me të gjitha institucionet dhe liderët politikë të Kosovës pa përjashtim.
Sot, Edi Rama nuk sulmoi një individ. Ai dha dy mesazhe. Paralajmëroi çdo shqiptar patriot që do goditet prej tij egërsisht dhe për këtë qëllimi thirri botërisht në ndihmë Vuçiçin dhe gjithë vuçiçat si ai.
Ky është thelbi i (debatit) sulmit publik që nisi sot.
Halli ynë kombëtar nuk është as ç’ka bërë dhe as ç’mendon Dritan Goxhaj. Se jeta dhe idetë e tij nuk ndikojnë kombëtarisht.
Halli ynë është që Kryeministri i Shqipërisë e urren egërsisht Kosovën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Dëshmorët dhe këdo që është gati të japë jetën për Flamurin Kombëtar dhe Lirinë e Shqipërisë.
Ta shporrim sa më parë këtë kancer!
Ky është MISIONI YNË KOMBËTAR DHE PATRIOTIK!

