Turizmi, remitancat dhe pasuritë e paluajtshme po dobësojnë euron, ja çfarë po ndodh me kursin e këmbimit

Euro vijon të humbasë vlerë në tregun shqiptar, ndërsa leku po forcohet gjithnjë e më shumë përballë monedhës europiane. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet me 94.89 lekë, ndërsa në tregun valutor është tregtuar edhe më poshtë, pranë nivelit 94.5 lekë.
Sipas specialistëve të ekonomisë, kjo situatë lidhet me rritjen e ofertës së euros në treg. Fluksi i turistëve të huaj, remitancat nga emigrantët dhe lëvizjet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë sjellë më shumë valutë në qarkullim, duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit.
Për të kufizuar luhatjet e forta dhe për të rritur rezervën valutore, Banka e Shqipërisë ka vijuar blerjet e euros në treg. Gjatë vitit 2026, institucioni ka planifikuar të tërheqë nga tregu nga 330 deri në 450 milionë euro.
Ndërkohë, rezerva valutore e vendit ka kaluar nivelin e 7.5 miliardë eurove. Pjesa më e madhe e saj mbahet në euro, ndërsa pjesa tjetër në dollarë amerikanë dhe paund britanikë.
Ekspertët mendojnë se rënia e euros mund të vazhdojë edhe gjatë javëve të ardhshme, sidomos në kulmin e sezonit turistik, kur prurjet valutore pritet të jenë edhe më të larta. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që euro të bjerë edhe nën nivelin e 94 lekëve.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia është e ndjeshme. Më 16 qershor 2025 euro këmbehej me 97.99 lekë, ndërsa më 16 qershor 2026 vlera e saj ka zbritur në 94.89 lekë.


