Alarm në SHBA! Zbulohet plan për të goditur natën e luftimeve të UFC-së në Shtëpinë e Bardhë

Autoritetet federale amerikane kanë arrestuar disa persona të dyshuar për përfshirje në një plan për të sulmuar një event të UFC-së që pritet të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat amerikane, hetuesit kanë zbuluar mesazhe komunikimi mes disa individëve ku diskutohej mundësia e përdorimit të dronëve dhe e një personi të armatosur për të sulmuar turmat gjatë aktivitetit.
Në operacion kanë marrë pjesë FBI-ja dhe Shërbimi Sekret, të cilët kanë ndjekur gjurmët e komunikimeve dhe kanë ndërhyrë pasi u njohën me përmbajtjen e mesazheve.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, bëri të ditur se arrestimet janë kryer në kuadër të një operacioni që është shtrirë në disa shtete dhe ka përfshirë persona jashtë zonës së Uashingtonit.
Sipas burimeve të zbatimit të ligjit, në bisedat e zbuluara përmendej përdorimi i dronëve me ngarkesa të rrezikshme për të krijuar panik masiv, si dhe mundësia e një sulmi me armë ndaj pjesëmarrësve në event.
Për momentin nuk dihet se sa afër realizimit ishte ky plan, por autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkallën e organizimit dhe rolin e secilit prej të arrestuarve.


