I dyshuar për korrupsion në Kroaci, vihet në pranga ish-mbrojtësi i njohur i Interit dhe Milanit

I dyshuar për korrupsion në Kroaci, vihet në pranga

Ish-futbollisti i njohur kroat, Dario Simic, është arrestuar nga autoritetet kroate nën dyshimet për përfshirje në një çështje korrupsioni që lidhet me ndërtimin e një kampingu turistik në bregdetin e Kroacisë.

Sipas agjencisë kroate të lajmeve Hina, Simic dyshohet se ka siguruar lejet e ndërtimit në mënyrë të paligjshme, përmes ryshfetit dhe procedurave të parregullta. Mediat vendase kanë publikuar edhe fotografi të ish-mbrojtësit të prangosur nga policia gjatë arrestimit.

Bashkë me të janë arrestuar edhe dy persona të tjerë: një ish-zyrtare rajonale e turizmit dhe një biznesmen lokal, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në skemën e paligjshme.

Hetimet lidhen me një kamping të ndërtuar në Tisno, një qytezë bregdetare pranë Splitit. Sipas autoriteteve, objekti është ndërtuar në mënyrë të paligjshme pasi një pjesë e tokës nuk ishte e destinuar për ndërtim dhe nuk plotësonte kriteret e planifikimit urban.

Prokuroria dyshon se gjatë viteve 2020–2021, ish-zyrtarja rajonale Neda Livljanic ka miratuar lejet për ndërtimin e kampingut, pavarësisht shkeljeve të konstatuara, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet kroate po mbledhin prova për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të korrupsionit. Deri më tani nuk ka një vendim gjyqësor për fajësinë e të arrestuarve.

EMISIONET