Tiranë-Toronto hapet zyrtarisht/ Rama: Shqipëria po bëhet një nyje e rëndësishme e fluturimeve ndërkombëtare
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e mbërritjes së fluturimit të parë direkt Tiranë-Toronto, një linjë e re që lidh Shqipërinë me Kanadanë dhe zgjeron më tej rrjetin e destinacioneve ndërkontinentale të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Gjatë aktivitetit, Rama e cilësoi këtë moment si një arritje të rëndësishme për vendin, duke kujtuar se një lidhje e tillë dukej e paarritshme vetëm pak vite më parë.
"Deri dje do të ishte krejtësisht një fantazi e shfrenuar, ndërsa sot është një realitet falë uljes në Tiranë të avionit të parë nga Toronto. Siç u tha edhe nga kompania, fluturimi i parë mbërriti plot me pasagjerë."-tha ai.
Kryeministri u ndal edhe te potenciali i tregut shqiptar të udhëtimeve ajrore, duke vlerësuar se linja e re ka të gjitha mundësitë për të qenë e suksesshme. Sipas tij, interesi i lartë për fluturime dhe zgjerimi i vazhdueshëm i trafikut ajror po krijojnë kushtet për lidhje të reja ndërkombëtare.
Rama bëri të ditur se pas hapjes së linjës me Kanadanë, vëmendja tashmë është përqendruar te një objektiv tjetër strategjik: krijimi i një linje direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi edhe linjën direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është bërë një përparim i konsiderueshëm dhe jemi shumë më afër finalizimit sesa mund të mendonim vetëm pak vite më parë."-shtoi ai.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri përmendi edhe rezultatet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili prej disa vitesh renditet ndër aeroportet me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Europë. Sipas tij, mjafton të krahasohen shifrat nga viti 2016 deri në vitin 2025 për të kuptuar ritmin e zhvillimit të transportit ajror në Shqipëri.


