"Kampet e emigrantëve në vende të treta nuk funksionojnë"/ Macron dhe Sanchez kundër planit të BE: Ato bien ndesh me vlerat tona

"Kampet e emigrantëve në vende të treta nuk

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur kundërshtim ndaj rregullores së re të emigracionit të miratuar nga Parlamenti Europian pak ditë më parë, duke vënë në pikëpyetje qasjen e saj dhe efektivitetin e modelit të ri të propozuar për menaxhimin e migracionit.

Në përfundim të samitit në Bruksel me liderët e vendeve të Bashkimit Europian, Macron tha se kjo qasje nuk përfaqëson frymën e Europës dhe ngriti dyshime mbi funksionimin praktik të sistemit të ri që parashikon krijimin e qendrave për emigrantët në vende të treta jashtë BE-së.

Ai u shpreh se Franca nuk mbështet ngritjen e qendrave të tilla në vende të tjera dhe vuri në dyshim nëse ky model ka funksionuar ndonjëherë në praktikë. Sipas tij, mbetet e paqartë mënyra se si do të garantohen të drejtat e personave që do të transferohen në këto struktura dhe çfarë marrëdhëniesh do të krijohen me vendet pritëse.

Këto qendra parashikohen të shërbejnë për personat që kanë marrë urdhër dëbimi ose u është refuzuar kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare, duke u vendosur në shtete të konsideruara të sigurta jashtë territorit të Bashkimit Europian. Krijimi i tyre do të bëhet vetëm në bazë të marrëveshjeve mes shteteve përkatëse.

Qëndrime të ngjashme janë shprehur edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili e ka vlerësuar këtë model si të paefektshëm dhe jo të qëndrueshëm, duke theksuar nevojën për bashkëpunim me vendet e origjinës së emigrantëve.

Në anën tjetër, rregullorja është mbështetur nga Partia Popullore Europiane, konservatorët dhe partitë e së djathtës ekstreme, ndërsa kundër saj kanë votuar socialistët, të gjelbrit dhe një pjesë e liberalëve.

EMISIONET