Fluturimi i parë Tiranë-Toronto/ Gonxhja: 3.7 milionë vizitorë në pesë muaj dhe rekord absolut në Aeroportin e Rinasit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në ceremoninë e fluturimit të parë direkt Tiranë-Toronto, një linjë e re që lidh Shqipërinë me Kanadanë dhe tregun e Amerikës së Veriut.

Gjatë aktivitetit, ai ndau të dhëna mbi ecurinë e sektorit turistik dhe ndikimin e tij në ekonomi.

Sipas Gonxhes, turizmi vijon të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, me një kontribut që arrin rreth 24 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit, Shqipëria ka pritur më shumë se 3.7 milionë vizitorë të huaj, ndërsa muaji maj regjistroi një rritje prej 16 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

"Gjatë periudhës janar-maj 2026, vendi ynë priti mbi 3.7 milionë vizitorë të huaj, ndërsa vetëm në muajin maj u regjistruan rreth 143 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë. Këto rezultate tregojnë se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë besimin e vizitorëve ndërkombëtarë."-tha ai.

Ministri solli në vëmendje edhe një rekord të vendosur së fundmi në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza". Më 30 maj, aeroporti regjistroi ditën me numrin më të lartë të pasagjerëve në histori, me 51 mijë e 420 udhëtarë në vetëm 24 orë.

Sipas tij, hapja e linjës së re me Kanadanë krijon mundësi të reja për zgjerimin e tregut turistik dhe për tërheqjen e vizitorëve që zgjedhin të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri.

"Objektivi ynë nuk është vetëm të presim më shumë turistë, por të rrisim kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre dhe nivelin e shpenzimeve në vend. Udhëtarët që vijnë nga tregje të largëta janë strategjikë për ekonominë dhe bizneset turistike."-shtoi ministri.

Gonxhja e cilësoi zgjerimin e lidhjeve ajrore si një investim afatgjatë për vendin, ndërsa bëri të ditur se po punohet për shtimin e frekuencave dhe kapaciteteve të fluturimeve në të ardhmen. Sipas tij, rritja e flukseve turistike po sjell më shumë investime, po nxit sipërmarrjen dhe po krijon mundësi të reja zhvillimi në shumë zona të Shqipërisë.

 

EMISIONET