"30 mijë m² tokë për 120 euro"/ Afera e dyshuar me parkun fotovoltaik në Fier, Kalaja zbardh skemën e kompanisë “fantazmë”
Në studion e “Ora News” ishte e ftuar juristja Adriana Kalaja, e cila komentoi një rast të dyshuar abuzimi me një projekt fotovoltaik në Fier, ku sipas saj janë përfshirë institucione publike dhe një kompani pa aktivitet real.
“Bëhet fjalë për një kompani që nuk ka pasur asnjë aktivitet, pa eksperiencë dhe pa lëvizje financiare në vite. Megjithatë në vitin 2023 ajo ka marrë një kontratë për një park fotovoltaik, me përfshirje të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrje në nivele të ndryshme.”-tha juristja.
Sipas saj, kompania ka rezultuar pa bilance aktive gjatë viteve 2020–2022, ndërsa më pas është përfshirë në një kontratë të madhe për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Fierit.
Në vijim të zhvillimeve, ajo ngriti shqetësime edhe për mënyrën e përdorimit të tokës publike në këtë projekt.
“Në këtë rast është dhënë një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë tokë me një vlerë shumë të ulët qiraje. Më pas janë ndjekur procedura për leje dhe kontrata, ku përfshihen institucione të ndryshme vendimmarrëse.”-shtoi ajo.
Kalaja u ndal edhe te mënyra se si janë transferuar aksionet e kompanisë pas përfitimit të kontratës dhe lejeve, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.
Sipas saj, rasti kërkon verifikim të plotë institucional, duke filluar nga mënyra e krijimit të kompanisë, deri te përfitimi i kontratës dhe përdorimi i pronës publike.


