Tiranë-Toronto bëhet realitet/ Karakaçi: Jemi më afër se kurrë fluturimeve direkte me Amerikën

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi, mori pjesë në ceremoninë e mbërritjes së fluturimit të parë direkt Tiranë-Toronto, një linjë e re që lidh Shqipërinë me Kanadanë dhe zgjeron më tej rrjetin e destinacioneve ndërkombëtare të Aeroportit të Tiranës.

Gjatë aktivitetit, Karakaçi e cilësoi këtë fluturim si një hap të rëndësishëm për aviacionin civil dhe për lidhjen e Shqipërisë me tregje të reja në Amerikën e Veriut.

"Sot kemi parë të mbërrijë në Tiranë fluturimi i parë direkt nga Toronto. Është një lidhje e re që afron më shumë Shqipërinë me Kanadanë dhe krijon mundësi të reja si për udhëtarët, ashtu edhe për turizmin dhe ekonominë."-tha Karakaçi.

Sipas ministrit, interesi për këtë linjë është konfirmuar që në nisje, pasi fluturimi inaugurues mbërriti me kapacitet të plotë.

Ai u ndal edhe te rritja e vazhdueshme e trafikut ajror në vend, duke kujtuar se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vazhdon të regjistrojë shifra rekord pasagjerësh.

Karakaçi tha se zgjerimi i rrjetit të fluturimeve mbetet një nga objektivat kryesorë, ndërsa vëmendja është përqendruar tashmë te lidhjet e drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Linja me Kanadanë është një arritje e rëndësishme, por puna vazhdon. Objektivi ynë i radhës mbetet krijimi i një lidhjeje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë bërë hapa të rëndësishëm dhe po punohet që ky projekt të afrohet sa më shumë drejt realizimit."-shtoi ai.

Ministri vlerësoi gjithashtu ecurinë e Aeroportit të Tiranës, i cili prej vitesh renditet ndër aeroportet me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Europë.

Sipas tij, zgjerimi i destinacioneve dhe rritja e kërkesës për udhëtime ajrore po e kthejnë Shqipërinë në një pikë gjithnjë e më të rëndësishme të lëvizjes rajonale dhe ndërkombëtare.

 

EMISIONET