“Keni frikë nga veza, jo nga qytetarët”/ Zhupa-Ballës: Ju i dh*nonit protestuesit kur ishit në opozitë
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar në Kuvend pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës para Parlamentit, duke kritikuar qëndrimin e mazhorancës ndaj qytetarëve dhe ndërhyrjen e policisë gjatë tubimit.
Gjatë fjalës së saj, Zhupa iu drejtua kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke i kujtuar protestat e zhvilluara kur socialistët ishin në opozitë dhe duke akuzuar qeverinë për arrogancë ndaj qytetarëve.
"Nuk kalon me një vërejtje ky që i ka hipur policëve mbi koka dhe i ka dhunuar kur ishte në opozitë. Ju jeni mazhorancë hajdutësh dhe frikacakësh."-tha ajo.
Zhupa vijoi akuzat ndaj mazhorancës, duke thënë se qytetarët po përballen me probleme në shëndetësi, arsim dhe ekonomi, ndërsa sipas saj qeveria po i përgjigjet me presion dhe jo me dëgjim.
Ajo kritikoi edhe reagimet e disa përfaqësuesve të mazhorancës ndaj protestuesve, duke iu referuar deklaratave të bëra gjatë ditës.
"Keni frikë nga veza. Nuk është klasifikuar veza si armë që sjell pasoja. Vjen ministri dhe u thotë budallenj protestuesve. Ky që paguhet nga taksat e tyre, t’u thuash terrorist, nuk e meriton një vezë?"- u shpreh Zhupa.
Reagimi i Zhupës vjen në një seancë plenare të tensionuar, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë jashtë Kuvendit, ndërsa brenda sallës vijojnë debatet mes opozitës dhe mazhorancës.

