Mes protestave dhe integrimit/ Mile: Hapja e kapitujve me BE-në është lajm i mirë, por sfida mbetet zbatimi i ligjeve

Mes protestave dhe integrimit/ Mile: Hapja e kapitujve me BE-në

Shqipëria ka bërë një hap përpara në procesin e integrimit europian me hapjen e tre kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Europian. Analisti Klementin Mile, në një intervistë për “Ora News”, e vlerësoi këtë zhvillim si një sinjal pozitiv, por theksoi se përparimi real do të varet nga zbatimi i ligjeve dhe reformave në praktikë.

Mile u shpreh se Shqipëria është brenda një ritmi normal në procesin e negociatave, edhe pse sipas tij, pritshmëria është që ky rrugëtim të ecë më shpejt.

“Është lajm i mirë që tre kapituj janë hapur. Kjo tregon që procesi po ecën”, deklaroi ai, duke shtuar se vendet e rajonit kanë pasur ritme të ndryshme në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Sipas analistit, hapja e kapitujve lidhet me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian. Ai shpjegoi se bëhet fjalë për përfshirjen graduale të rregullave dhe standardeve të Bashkimit Europian në sistemin ligjor shqiptar.

“Kur përafrohen ligjet me Bashkimin Europian, do të thotë që po operojmë me të njëjtat kushte dhe rregulla si qytetarët europianë”, tha Mile.

Megjithatë, ai nënvizoi se miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm, pasi sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre nga institucionet.

“Nëse përafrojmë legjislacionin, por nuk e zbatojmë, atëherë Bashkimi Europian do të na thotë se nuk kemi bërë detyrat e shtëpisë”, u shpreh analisti.

Duke folur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, Mile tha se prej vitesh është folur për një proces integrimi, por sipas tij, shpeshherë ai nuk ka qenë një proces i parashikueshëm.

“Proces do të thotë që rruga bëhet gjithmonë e më e qartë dhe që detyrimet e marra përsipër zbatohen. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kemi vetëm një seri ngjarjesh që lidhen me njëra-tjetrën”, deklaroi ai.

Sipas Klementin Miles, hapja e tre kapitujve është një zhvillim pozitiv për Shqipërinë, por rruga drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian kërkon më shumë se harmonizim ligjor. Zbatimi i reformave dhe funksionimi i institucioneve mbeten faktorët që do të përcaktojnë suksesin e procesit.

Klementin Mile: Jemi brenda normalitetit me këto tre kapituj. Sigurisht tregon që procesi po ecën. Ne do të donim të ecte dhe më shpejt, për shembull ne e kemi Malin e Zi që është më përpara patjetër. Pra dikur e kemi nisur, si të thuash këtë garë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian me të njëjtin start. Mali i Zi na ka kaluar. Ka kontekst tjetër, ka çështje të tjera, ndërkohë që ne kemi të tjera gjëra që ndoshta na kanë vonuar.

Por aktualisht është gjithsesi lajm i mirë që tre kapituj janë, ose tre tema të rëndësishme, se ne e themi ndonjëherë kapituj edhe njerëzit nuk e kuptojnë çfarë janë këto kapitujt, se duket si kapituj libri, në një farë mënyre. Në fakt, bëhet fjalë që ai korpusi i madh ligjor, i gjithë legjislacioni i Bashkimit Europian, që quhet përndryshe me gjuhën teknike Acquis Communautaire, që është term frëngjisht. Pra, gjithë ligjet e Bashkimit Europian që janë qindra mijëra faqe, në një farë mënyre, do të duhet që të bëhen pjesë e të drejtës shqiptare. Pra në këtë kuptim, afrimi jonë, pra si Shqipëri në Bashkimin Europian, do të duhet të bëhet edhe ligjërisht, ose pikë së pari ligjërisht.

Se pastaj natyrisht që kur përafrohen ligjet, kur kemi domethënë, ose harmonizohen ligjet legjislacioni me Bashkimin Europian, do të thotë që po operojmë me të njëjtat kushte, me të njëjtat rregulla si europianët. Dhe kjo ka ndodhur të paktën në tre fusha. Prandaj janë këto tre kapituj që për të cilat bëhet fjalë. Natyrisht që ka dhe shumë të tjera, janë, nuk e di 30 e ca, domethënë, sa janë, fusha pra. Ose kapituj ose tema ose si doni t'i quajmë, sektorë, e kështu me rradhë.

 Por, kjo do të thotë pra që jemi bërë tani edhe pak më shumë evropianë se ç'kemi qenë. Të paktën në sensin e pritshmërive që ngrenë ligjet, sepse ligjet, kur përafrohen, pra kur ne kemi legjislacion të ngjashëm në këtë moment pjesërisht me Bashkimin Evropian, do të thotë që edhe të drejtat dhe detyrimet që lindin janë si ato të qytetarëve evropianë të paktën në këto tre, në këto tre sektorë, po themi. Po pra, si të shikoni, po kjo është ideja sepse në momentin që bëhet përafrimi i legjislacionit, pra fillojnë ligjet tona t'i ngjajnë ligjeve të Bashkimit Evropian, të vendeve të Bashkimit Evropian, kjo ngre pastaj edhe detyra për institucionet ligjzbatuese, që duhet të implementojnë ose zbatojnë pra këto ligje që pastaj janë në fuqi.

Është normale që të ndodhi kjo. Nëse nuk ndodh, sepse ne mund të jemi skeptikë siç përgjithësisht periudha jonë e tranzicionit na ka bërë që të bëhemi skeptikë lidhur me qeverisjen, me zbatimin e ligjeve e me radhë, çfarë ndodh nëse ne, pra si me thënë, përafrojmë legjislacionin por nuk i zbatojmë pastaj? Atëherë do na kapi për veshi Bashkimi Evropian, do na thotë që s'kemi bërë detyrat e shtëpisë, në këtë kuptim. Pra do na thonë që kemi dështuar, s'kemi vullnetin, apo çfarëdo lloj gjëje tjetër që duan të na thonë ose dhe që meritojmë të na e thonë, nëse nuk zbatojmë ligjet që po biem dakord që t'i kemi si, si evropianë.

Shiko, ne shpesh themi, flasim për atë që quhet proces i integrimit europian. Pra, ka shumë vite, që nga vitet 2000 e 2002 me sa kujtoj unë, kur është bërë Pakti i Stabilitetit dhe më vonë pastaj Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Pra, ato marrëveshjet e mëdha që kemi bërë ne si shtet me Bashkimin Europian dhe që na lidhin, krijojnë detyrime, si për ne, si për europianët në njëfarë mënyre. Të gjitha këto ne i kemi renditur dhe kemi folur për një lloj procesi të integrimit europian.

Mirëpo në fakt nuk ka patur, në gjykimin tim të paktën nuk ka qenë proces. Sepse proces do të thotë që gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më shumë bëhet e parashikueshme rruga jote. Pra, shtegu bëhet gjithmonë e më i ngushtë, ti nuk mund të devijosh.

Pra, në qoftë se ke ca detyrime që lindin nga marrëveshjet që ke me Bashkimin Europian, që ke nënshkruar si shtet, do të duhet t'i zbatosh, nëse je në një proces. Nëse pastaj ky nuk është proces, po ca ngjarje që lidhen me njëra-tjetrën në kohë, një lloj sekuence ngjarjesh, zinxhiri ngjarjesh, atëherë ti bën edhe devijime, kthehesh mbrapa, bën një ndalesë,  kalon në korsi tjetër, fillon afrohesh me Kinën e të tjera.

EMISIONET