Trump beson se Putin është gati për paqe, por lufta në Ukrainë vijon pa shenja ndalese

Trump beson se Putin është gati për paqe, por lufta në

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Deklarata e tij vjen në një kohë kur luftimet vazhdojnë dhe raportet flasin për mundësi të reja përshkallëzimi në front.

Në një intervistë për Fox News, e regjistruar një ditë më parë dhe e transmetuar të mërkurën, Trump tha se beson se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të arrijë një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit.

"Mendoj se ai është gati të bëjë një marrëveshje", u përgjigj Trump, kur u pyet për bisedimet që ka zhvilluar me presidentin rus.

Megjithatë, raportimet nga Reuters paraqesin një panoramë tjetër. Tre burime pranë Kremlinit kanë bërë të ditur se Vladimir Putin nuk është i prirur të pranojë thirrjet për negociata paqeje me Ukrainën dhe se Rusia mund të intensifikojë më tej operacionet ushtarake, ndërsa lufta ka hyrë në vitin e pestë.

Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do të arrinte një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës që në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, të nisur në janar 2025. Deklaratat e fundit tregojnë se ai vijon të besojë se një zgjidhje diplomatike mbetet e mundur, pavarësisht zhvillimeve në terren.

EMISIONET