Përgjigjja pa përgjigje. Bashkia fshihet pas IKTK-së për të mos dhënë llogari për ish-Radio Tiranën

Përgjigjja pa përgjigje. Bashkia fshihet pas IKTK-së për

Katër muaj pasi depozitoi kërkesën zyrtare për informacion mbi ndërprerjen e punimeve në godinën e ish Radio Tiranës, Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, këshilltarja e Këshillit Bashkiak Tiranë, Alba Kepi, thotë se ka marrë një përgjigje që nuk sqaron asnjë nga pyetjet për të cilat kërkoi llogari.

Kërkesa iu drejtua Bashkisë së Tiranës, institucionit që ka përgjegjësi për administrimin e territorit dhe kontrollin e zbatimit të lejeve. Por në vend të një përgjigjeje nga Bashkia, administrata ia ka përcjellë kërkesën Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), duke shmangur përgjegjësinë për t'u shprehur mbi veprimet që vetë Bashkia duhej të kishte ndërmarrë.

Në shkresën zyrtare të datës 3 korrik 2026, Drejtori i Përgjithshëm i IKTK-së, Endri Haxhidhi, konfirmon se objekti është Monument Kulture dhe se projekti restaurues është miratuar me vendimin nr.381, datë 6 korrik 2023, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Më tej, Instituti citon legjislacionin që detyron subjektin zbatues të njoftojë IKTK-në dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore për fillimin e punimeve.

Por fjalia që përmbledh të gjithë përgjigjen është kjo:

"Në kushtet kur pranë institucionit tonë apo DRTK-së Tiranë nuk është përcjellë njoftimi i fillimit të punimeve sipas legjislacionit në fuqi, IKTK nuk disponon informacion mbi vijimin e zbatimit të projektit të miratuar."

Për Alba Kepin, kjo fjali është prova se institucionet nuk japin përgjigje, por pranojnë se nuk kanë ushtruar kontroll.

"Nuk kërkova një leksion mbi ligjin. Kërkova të më thuhej se çfarë ka bërë Bashkia e Tiranës për një monument kulture, punimet e të cilit janë ndërprerë dhe afati i lejes ka përfunduar prej kohësh. Në vend të përgjigjeve mora një deklaratë se institucioni nuk di çfarë ka ndodhur."

Kërkesa e Kepit përmbante pyetje të drejtpërdrejta.

A ka kryer Bashkia kontrolle në terren?

A janë marrë masa administrative ndaj subjektit?

A është proceduar për mosrespektimin e afatit të lejes?

A është kërkuar rinovim apo shtyrje e saj?

Cili është plani për të mbrojtur objektin nga degradimi?

Në përgjigjen zyrtare nuk gjendet asnjë përgjigje për këto pyetje.

Në vend të tyre, Bashkia zgjedh t'i referohet një institucioni tjetër, ndërsa edhe ky i fundit deklaron se nuk disponon informacion mbi ecurinë e projektit.

"Përgjigjja është alarmante. Nuk është normale që për një monument kulture të miratohet një projekt restaurimi dhe, tre vite më vonë, institucioni përgjegjës të deklarojë se nuk di nëse punimet kanë filluar, janë ndërprerë apo kanë përfunduar. Kjo tregon mungesë monitorimi dhe mungesë përgjegjësie institucionale", deklaron Kepi.

Sipas saj, edhe më shqetësues është fakti që Bashkia e Tiranës nuk jep asnjë informacion për rolin e saj.

"Nuk thuhet nëse Bashkia ka dalë në terren. Nuk thuhet nëse ka evidentuar shkelje. Nuk thuhet nëse ka vendosur masa administrative. Nuk thuhet nëse ka njoftuar institucionet përgjegjëse. Nuk thuhet as kush mban përgjegjësi. Praktikisht, përgjigjja është ndërtuar mbi atë që institucionet nuk dinë, jo mbi atë që kanë bërë."

Për Kepin, kjo është një mënyrë për të shmangur llogaridhënien.

"Kur një institucion publik pyetet për veprimet e veta dhe përgjigjet duke treguar çfarë nuk di një institucion tjetër, kemi të bëjmë me një shmangie të përgjegjësisë. Qytetarët nuk kërkojnë justifikime. Kërkojnë transparencë."

Këshilltarja thekson se rasti i ish Radio Tiranës nuk është vetëm historia e një godine historike të lënë pezull, por edhe një provë e mënyrës se si funksionon administrata.

"Ky nuk është vetëm degradimi i një monumenti kulture. Është degradimi i përgjegjësisë institucionale. Nëse askush nuk kontrollon, askush nuk raporton dhe askush nuk mban përgjegjësi, atëherë ligji mbetet vetëm në letër."

Alba Kepi deklaron se do të kërkojë që kjo çështje të diskutohet publikisht dhe institucionet të japin përgjigje për pyetjet që, sipas saj, vijojnë të mbeten pa përgjigje: kush kontrolloi punimet, kush lejoi ndërprerjen e tyre dhe kush do të mbajë përgjegjësi për rrezikimin e një monumenti kulture të mbrojtur me ligj.

Dokumenta bashkëngjitur

EMISIONET