Alarm për shëndetin e Sophia Loren, familja zbulon të vërtetën për gjendjen e ikonës së kinemasë

Lajmet që qarkulluan së fundmi në rrjetet sociale për një përkeqësim të rëndë të gjendjes shëndetësore të Sophia Loren kanë shkaktuar shqetësim mes fansave të aktores legjendare. Megjithatë, familjarët e saj kanë reaguar menjëherë, duke i cilësuar informacionet si të pavërteta.
Alessandra Mussolini, mbesa e divës italiane, publikoi një video në Instagram, ku hodhi poshtë pretendimet se aktorja ishte shtruar me urgjencë në spital.
“Ditët e fundit kanë qarkulluar shumë lajme për tezen time, Sophia Loren, dhe ndiej nevojën t’ju qetësoj personalisht. Tezja Sophia është mirë. Nuk është e shtruar në spital dhe lajmet që po përhapen nuk janë të vërteta”, deklaroi ajo.
Sipas Mussolinit, aktorja 91-vjeçare ndodhet në shtëpinë e saj, është e qetë dhe vazhdon të ruajë energjinë dhe forcën që e kanë karakterizuar gjatë gjithë jetës dhe karrierës së saj.
“Është në shtëpi dhe ndihet shumë mirë. Është e qetë dhe e fortë, me atë energji të jashtëzakonshme që të gjithë ia njihni”, shtoi ajo.
Sophia Loren ka reaguar me mirënjohje ndaj mesazheve të shumta të fansave, të cilët, të shqetësuar nga lajmet e rreme, kanë shprehur mbështetjen dhe dashurinë e tyre për ikonën e kinematografisë.
“Ajo më kërkoi t’ju përcillja diçka shumë të thjeshtë, por që e ka vërtet për zemër: faleminderit. Faleminderit për dashurinë, mesazhet, mbështetjen dhe përkushtimin që nuk keni reshtur kurrë së treguari gjatë gjithë karrierës së saj”, u shpreh Mussolini.
Reagimi i familjes i dha fund spekulimeve të përhapura në internet, ndërsa Sophia Loren vazhdon të qëndrojë larg vëmendjes publike, në qetësinë e shtëpisë së saj.
Aktorja, e cila mbetet një nga figurat më të mëdha të kinemasë botërore, duket se i ka pritur me qetësi dhe ironi zërat e pavërtetë për shëndetin e saj.

