T-REX THYEN REKORDIN BOTËROR! Skeleti “Gus” shitet për 50 milionë dollarë në ankand
Një skelet i një dinosauri T-Reks ka vendosur një rekord të ri në botën e fosileve, pasi u shit për 50.1 milionë dollarë në ankand. Fosili i quajtur “Gus” konsiderohet një nga ekzemplarët më të plotë dhe më të ruajtur të kësaj specie, por shitja e tij ka ringjallur debatet për aksesin e studiuesve ndaj zbulimeve të rralla shkencore.

Një skelet fosil i Tyrannosaurus rex, i njohur me emrin "Gus", është shitur për 50.1 milionë dollarë në ankandin e organizuar nga Sotheby's në Nju Jork, duke vendosur një rekord të ri si fosili i dinosaurit më te shtrenjtë te shitur ndonjëherë.
Me këtë shitje u thye rekordi i mëparshëm, i vendosur në vitin 2024 nga skeleti i stegosaurit "Apex", i cili ishte shitur për 44.6 milionë dollarë.
"Gus" konsiderohet një nga skeletët më të mëdhenj dhe më të ruajtur të T. Rex-it të zbuluar deri më sot. Ai u gjet gjatë gërmimeve të kryera mes viteve 2021 dhe 2023 në Dakotën e Jugut dhe mori emrin e pronarit të tokës ku u zbulua.
Ekspertët vlerësojnë se dinosauri ka jetuar rreth 67 milionë vjet më parë, ndërsa skeleti i tij arrin rreth 3.8 metra lartesi dhe 11.6 metra gjatësi , I përbëre nga 183 kocka fosile, që përfaqësojnë rreth 75 deri në 80 për qind të masës së plotë të trupit, duke e bërë një nga ekzemplarët më të plotë të kësaj specie.

Analizat e kryera mbi fosilin kanë zbuluar edhe detaje interesante për jetën e dinosaurit. Në kafkë dhe në disa pjesë të trupit janë identifikuar shenja kafshimesh, si edhe fraktura të shëruara, duke treguar se "Gus" kishte mbijetuar përleshje të ashpra dhe plagë të rënda gjatë jetës së tij.
Paleontologët shprehen se shitja e fosileve kaq të rralla tek koleksionistët privatë mund të kufizojë mundësitë për kërkime dhe studime shkencore, pasi ekzemplarë të tillë mund të mos jenë më të aksesueshëm për studiuesit dhe publikun.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve po e bën gjithnjë e më të vështirë për muzeumet të konkurrojnë në ankande, duke rrezikuar që zbulime me rëndësi historike dhe shkencore të përfundojnë larg institucioneve kërkimore.


