Shpëtohen 39 civilët e rrëmbyer! Ushtria kolumbiane liron pengjet e kapura nga rebelët e ELN-së! Operacioni përfundon me viktima
Ushtria kolumbiane ka shpëtuar 39 persona të rrëmbyer nga grupi gueril ELN në veriperëndim të vendit. Pengjet u ndaluan gjatë një bllokade në rrugë, ndërsa operacioni i shpëtimit u shoqërua me përplasje të armatosura ku humbën jetën dy ushtarë dhe u plagosën pesë të tjerë.

Ushtria kolumbiane ka realizuar një operacion të posaçëm për shpëtimin e 39 civilëve të marrë peng nga grupi gueril Ushtria Nacional Çlirimtare, ELN, në departamentin Choco, në veriperëndim të Kolumbisë.
Sipas autoriteteve ushtarake, personat ishin duke udhëtuar me dy autobusë në një aks rrugor që lidh zonën e Chocos me qytetin e Medellinit, kur u ndaluan nga anëtarë të armatosur të ELN-së në një postbllok të ngritur në autostradë.
Pas marrjes së informacionit për rrëmbimin, forcat e ushtrisë nisën një operacion kërkimi dhe ndërhyrjeje për lirimin e pengjeve. Gjatë aksionit, trupat kolumbiane u përballën me rezistencë nga grupi gueril, i cili përdori edhe një mjet shpërthyes ndaj forcave të sigurisë.
Si pasojë e shpërthimit, dy ushtarë humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën. Megjithatë, operacioni përfundoi me lirimin e të gjithë civilëve të marrë peng, të cilët më pas u transportuan me helikopter drejt një baze ushtarake në Quibdo, kryeqyteti i departamentit Choco.
Sipas mediave lokale, mes personave të shpëtuar ishin katër drejtues autobusësh të kompanisë së transportit Rapido Ochoa dhe 35 pasagjerë, të cilët u morën në pyetje nga autoritetet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Rrëmbimet dhe sulmet ndaj civilëve mbeten një prej metodave të përdorura shpesh nga grupet e armatosura në disa zona të Kolumbisë, veçanërisht në rajonet rurale ku prania shtetërore është më e kufizuar.
ELN është grupi i fundit i madh gueril aktiv në vend dhe konsiderohet një nga organizatat më të fuqishme të armatosura ilegale në Amerikën Latine. Sipas të dhënave të Fondacionit InSight Crime, organizata ka më shumë se 6 mijë anëtarë dhe vitet e fundit ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe përtej kufijve të Kolumbisë, veçanërisht në Ekuador.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverive kolumbiane për negociata paqeje dhe çarmatim, ELN vijon të kontrollojë disa zona strategjike dhe të përfshihet në aktivitete të paligjshme, duke mbetur një sfidë e madhe për sigurinë kombëtare të vendit.


