Kongresi i PS, Denaj: Afrim me standardet e BE, do realizojmë 100 % kadastrën e tokës për fermerët

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë punimeve të Kongresit të PS-së, foli për objektivat për zhvillimin e sektorit bujqësor drejt Shqipërisë 2030.

Duke u ndalur te dixhitalizimi, ministrja theksoi se me 23 mijë klikime të regjistruara tani çdo fermer merr çdo informacion në kohë reale për tregjet e çmimet e prodhimeve.

“Kemi realizuar 100% kadastrën e vreshtit dhe kemi realizuar 57% atë të ullirit. Në 2030 angazhim për afrimin me BE-në, por edhe për bujqit e fermerët është realizimi i kadastrës së tokës 100%”, theksoi ajo.

Denaj bëri të ditur se javës që vjen disbursohen fondet e fundit për skemën e naftës, ku për herë të parë këtë vit 65 mijë fermerë dhe bujq që kanë aplikuar e marrin të plotë skemën.

Objektivi i radhës, sipas ministres, është një skemë që kalon fragmentarizimin. “Dhe këtu bashkimi i operatorëve është postulat”, theksoi ajo.

Duke folur për agroturizmin, Denaj tha se është transformuar mënyra si zhvillohet ekonomia e vogël bujqësore.

“Një agroturizëm ka marrëdhënie të drejtpërdrejt me 20 familje, ka 11 ha tokë të angazhuar dhe 9 punonjës të drejtpërdrejt ku 70% menaxhohen nga gratë. Kjo tregon zhvillim të qëndrueshëm përfshirës të të gjitha shtresave”, tha ajo.

Ministrja theksoi se prioritet mbetet realizimi i prodhimit “Made in Albania”.

“Ne flasim për eksporte 1 miliard, por falë 10 milionë turistëve deri në fund të vitit ne kemi tejkaluar eksportet me konsumin e brendshëm me 1.5 herë. Kur të arrijmë në 20 milionë turistë në vitin 2030 ne tejkalojmë eksportet tona me 1 miliard dollar dhe prodhimin e brendshëm me 1.8 miliard dollarë në 2030”, shtoi Denaj.

EMISIONET