Ilir Meta me një votues më shumë në këto zgjedhje, voton për herë të parë Era: Nëse nuk votoni, s'keni të drejtë të ankoheni
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, djali dhe dy vajzat e tyre, votuan paraditen e sotme në kopshtin numër 31 në rrugën "Pjetër Bogdani" në zonën e ish-Bllokut.
Në fjalën e tij për gazetarët Meta bëri thirrje për pjesëmarrje masive, teksa shtoi se këtë vit më e vogla e tyre Era votoi për herë të parë.
“Për herë të parë votoi edhe Era dhe ishte një kënaqësi që edhe ajo ta kishte sot këtë mundësi. Kam një lutje për të gjithë qytetarët e Tiranës. Gjëja më e rëndësishme që ka një qytetar në demokraci është vota. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari. Vetëm përmes kësaj mundësie të shkëlqyer që ju garanton kushtetuta ju mund të bëhen pjesë e ndryshimit dhe t’i kërkoni llogari të gjithëve. Ditë e madhe për Shqipërinë”, tha Meta.