Zbulohen milionat e Botërorit 2026/ Manchester City përfituesi më i madh nga fondi rekord i FIFA-s(FOTO)

Manchester City është klubi që pritet të përfitojë më shumë nga Programi i Përfitimeve për Klubet i FIFA-s pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, falë numrit të madh të futbollistëve që përfaqësuan kombëtaret e tyre në turne.
Sipas përllogaritjeve, kampionët anglezë do të arkëtojnë rreth 4.4 milionë dollarë (3.86 milionë euro), duke u renditur në krye të listës së përfituesve.
Pas Manchester Cityt vijnë Barcelona dhe Bayern Munich, ndërsa Arsenali renditet i katërti, pavarësisht se do të marrë një shumë disi më të ulët për shkak të angazhimeve të vona në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, Crystal Palace surprizon duke u pozicionuar mes klubeve angleze me përfitimet më të larta.

FIFA ka vendosur një rekord të ri me fondin prej 355 milionë dollarësh për Programin e Përfitimeve për Klubet, ku 250 milionë dollarë lidhen drejtpërdrejt me fazën finale të Kupës së Botës.
Pagesat llogariten mbi bazën e rreth 5 mijë dollarëve për çdo lojtar në ditë gjatë kohës që ai qëndron në shërbim të kombëtares në turne.

Formati i zgjeruar i Botërorit me 48 skuadra ka bërë që përfitimet të shpërndahen në një numër më të madh klubesh në mbarë botën, megjithëse ekipet evropiane vazhdojnë të marrin pjesën më të madhe të fondit.
Shifrat përfundimtare dhe zyrtare të pagesave pritet të publikohen nga FIFA në muajt e ardhshëm./TELEGRAFI


